English Shqip / Srpski

 

Aktakuzë pjesërisht e konfirmuar për rastin e PTK-së

1 shkurt 2012, Prishtinë

Një gjykatës i EULEX-it në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë ka konfirmuar pjesërisht aktakuzën kundër pesë të pandehurve lidhur me marrëveshjen për Operatorin e Rrjetit Mobil Virtual (ORRMV) të arritur ndërmjet PTK-së dhe Dardafon-it Sh.p.k dhe bartjen e mëvonshme të licencës për Dardafon.net Sh.p.k në vitin 2008 dhe 2009.

Gjykatësi i procedurës paraprake ka konfirmuat tri pika të aktakuzës kundër I.B., përfaqësues ligjor i Dardafon Sh.p.k dhe Dardafon.net Sh.p.k, B.D. dhe Sh.D., dy pronarë të kompanive private që i përkasin Devolli Group (Pika 1: Mashtrim, në kundërshtim me nenin 261 të Kodit Penal të Kosovës (KPK); Pika 2: Lidhja e kontratave të dëmshme, në kundërshtim me nenin 237 të KPK; dhe Pika 4: Falsifikim i dokumenteve, në kundërshtim me nenin 332 të KPK.

Gjykatësi po ashtu ka konfirmuar tri pika kundër Sh.H., Kryeshef ekzekutiv në PTK dhe R.Gj., kryetar i bordit të drejtorëve në PTK (Pika 6: Lidhja e kontratave të dëmshme, neni 237 i KPK; dhe Pikat 7 dhe 10: Shpërdorim i pozitës zyrtare, neni 339 i KPK).

Dy pika kundër I.B., B.D. dhe Sh.D. janë hedhur poshtë (Pika 3: Keqpërdorim i besimit; dhe Pika 5: Krim i organizuar). Gjykatësi i procedurës paraprake po ashtu ka hedhur poshtë dy pika kundër Sh.H. dhe R.Gj. (Pikat 8 dhe 9: Keqpërdorim i autorizimeve në ekonomi).

Kundër pikave të hedhura poshtë, prokurori mund të paraqes ankesë brenda tre ditëve nga dita e dorëzimit të vendimit.

Aktakuza ishte ngritur më 9 qershor 2011 nga një prokuror i EULEX-it i Prokurorisë Speciale të Kosovës (PSK).

Aktakuza është rezultat i një hetimi të filluar në qershor të vitit 2010 nga një prokuror i EULEX-it i PSRK-së, në bashkëpunim me njësinë e Inteligjencës financiare të policisë së EULEX-it. Gjatë bastisjeve të kryera më 15 korrik 2010, hetuesit kanë konfiskuar një sasi të madhe të materialit i cili ishte ekzaminuar nga PSRK. Ishin kryer edhe ekspertiza kyçe lidhur me provat e konfiskuara. Lidhur me këtë rast janë intervistuar një numër i dëshmitarëve.

Hetimi, ndjekja dhe gjykimi i rasteve të korrupsionit dhe krimit të organizuar në Kosovë janë pjesë e mandatit ekzekutiv të EULEX-it.