English Shqip / Srpski
 

Mbahet mbledhja e Bordit të Përbashkët Bashkërendues për Sundimin e Ligjit

05 tetor, 2009

Nën drejtimin e Zëvendëskryeministrit Hajredin Kuçi dhe shefit të EULEX-it Yves de Kermabon sot është mbajtur mbledhja e radhës e Bordit të Përbashkët për Sundimin e Ligjit. Në mbledhje ka marrë pjesë edhe Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ku mbajti dhe fjalën hyrëse duke theksuar vendosmërinë e Qeverisë së Kosovës për ta luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar.

Kryeministri Hashim Thaçi ka thënë se institucionet e Kosovës janë të përkushtuara maksimalisht për sundimin e rendit dhe ligjit, duke shprehur  gatishmërinë e Qeverisë së Kosovës për të bashkëpunuar me EULEX-in dhe mekanizmat tjerë ndërkombëtar për të krijuar paqe, stabilitet dhe zhvillim ekonomik për Kosovën, e cila ka të ardhme të sigurt evropiane.

“Bashkëpunimi ynë në sektorë të rëndësishëm në këtë drejtim në veçanti, të gjyqësisë, policisë dhe doganave ka për qëllim vendosjen e rendit dhe ligjit, por edhe funksionalizimin dhe fuqizimin e institucioneve tona në këto drejtime”, ka thënë mes tjerash kryeministri Hashim Thaçi.

Më pas shefi i EULEX-it Yves de Kermabon në fjalën e tij ka vlerësuar lart angazhimin e institucioneve të Kosovës, të Kryeministrit në veçanti për rëndësinë që Qeveria i jep fushës së sundimit të ligjit. 

De Kermabon ka theksuar se gjatë verës ka pasur mjaft çështje të nxehta dhe nuk ka qenë fare lehtë të kalohen, por ka kërkuar nga të gjithë që të mësohet nga e kaluara dhe të shikohen mundësitë e përmirësimit dhe koordinimit të plotë. 

“Ne duhet që ta vazhdojmë përmirësimin e sundimit të ligjit në Kosovë duke respektuar parimet kryesore, duke i dhënë pronësinë vendore, duke pas llogaridhënie dhe ta ushtrojmë edhe mandatin tonë ekzekutiv nëse është e nevojshme. Ne të vetëm nuk mund të bëjmë asgjë, së bashku ne mund të bëjmë çdo gjë. Ky është mesazhi që dëgjova nga autoritetet e Kosovës dhe nga vetë kryeministri dhe unë pajtohem me këtë, prandaj le të shkojmë përpara së bashku”, ka thënë de Kermabon. 

Ai ka shprehur përkushtimin e EULEX-it për t’i mbështetur Kryeministrin, Zëvendëskryeministrin dhe Ministrat për të krijuar një gjendje të mirë të sundimit të ligjit që është bazë e çdo demokracie në botë.

 Më pas Bordi për Sundimin e Ligjit ka proceduar sipas rendit të ditës.