06 maj
Në përputhje me përkushtimin e tij për zbatimin e Agjendës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë
(GPS), gjatë muajit të kaluar dhe përmes disa aktiviteteve të ndryshme, Misioni i Bashkimit
Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) e ka mbështetur punën jashtëzakonisht
të rëndësishme të Shoqatës së Grave të Policisë së Kosovës në fuqizimin e grave brenda
Policisë së Kosovës dhe Shërbimit Korrektues të Kosovës, duke e rritur përfaqësimin e tyre
në role udhëheqëse dhe, në fund, duke e promovuar barazinë gjinore.
Diskutimet dhe punëtoritë janë përqendruar në mënyrat për t’i luftuar paragjykimet dhe
stereotipet që lidhen me pjesëmarrjen e grave në institucionet e sektorit të sigurisë,
rëndësinë e udhëheqjes nga gratë dhe programeve të mentorimit, si dhe tema të bazuara në
përmbajtje të zhvillimit profesional. Në veçanti:
Më 11 prill, në Prishtinë, Misioni e mbështeti një bashkëbisedim me 20 police të fokusuar në
rëndësinë e programeve për zhvillim profesional dhe avancimin në nivelet vendimmarrëse
brenda Policisë, me qëllim të sigurimit të përfaqësimit të barabartë në nivelet udhëheqëse
dhe përfshirjes efektive në formësimin e politikave të sigurisë.
Më 30 prill, në Mitrovicë, Misioni e mbështeti një trajnim mbi rolin e grave në shoqëri dhe
ndikimin e ndryshimeve sociale për 25 police nga i gjithë rajoni i Mitrovicës. Qëllimi i trajnimit
ishte të theksohej rëndësia e rolit të grave në institucionet e sektorit të sigurisë për t’u
përshtatur në mënyrë efektive me ndryshimet në shoqëri dhe për të siguruar mirëkuptimin e
nevojave të komuniteteve. Gjatë diskutimit u prekën edhe mënyrat për luftimin e paragjykimit
dhe stereotipeve që lidhen me pjesëmarrjen e grave në sektorin e sigurisë.
Përfundimisht, më 5 dhe 6 maj, u mbajtën dy trajnime shtesë të bazuara në përmbajtje mbi
mizogjininë online dhe krimet kibernetike për rreth 50 zyrtare nga Shoqata e Grave në
Policinë e Kosovës dhe Shoqata e Grave në Shërbimin Korrektues të Kosovës, me qëllim të
forcimit të aftësive të tyre për reagim.
EULEX-i do të vazhdojë të avokojë dhe të punojë për rritjen e pranisë së grave në
institucionet e sektorit të sigurisë, në mënyrë që të arrihet një përfaqësim i plotë i
komuniteteve të ndryshme të cilave u shërbejnë ato, duke i përmirësuar mekanizmat e
mbrojtjes dhe duke siguruar që gratë të kenë një rol aktiv në formësimin e punës dhe
politikave të sektorit të sigurisë.