Lajme

EULEX-i organizoi një punëtori për fuqizimin e oficereve korrektuese femra

11 mars 2019

EULEX-i, në partneritet me Shoqatën e Grave në Shërbimin Korrektues të Kosovës (SHKK), e ka mbajtur një punëtori tri-ditore në Lipjan për fuqizimin e oficereve korrektuese femra drejt një karriere profesionale.

Kjo punëtori u dha mundësi pesëdhjetë pjesëmarrësve, shumica prej tyre me 15-20 vite përvojë të punës profesionale, që t’i zhvillojnë aftësitë e tyre, t’i ndajnë përvojat e tyre dhe ta shtojnë besimin e tyre për të konkurruar për pozita drejtuese dhe udhëheqëse në një mjedis të dominuar nga meshkujt si ai i SHKK-së.

Trajnimi u mbajt nga ekspertë nga Shërbimi Suedez i Burgjeve dhe Sprovues. “Ne i inkurajuam pjesëmarrësit që t’i ndajnë mes vete interesat dhe të flasin për aspektet ku ato janë të mira dhe çka duan të bëjnë më shumë në kuadër të shërbimit korrektues. Ato nuk duhet të frikësohen që ta shprehin vetveten”, tha Liselotte Norgren, Ndihmës Guvernatore e Burgut.

“Trajnimi ishte i mirëseardhur, pasi që ishte një mundësi e mirë për t’i shkëmbyer përvojat ndërmjet Shërbimit Korrektues të Suedisë me atë të Kosovës. Duke i shkëmbyer përvojat gjatë këtij trajnimi ne kemi kuptuar se shpesh herë ballafaqohemi me sfida dhe problematika të ngjashme: për shembull, rregullat që ne i aplikojmë në lidhje me sigurinë në burgje dhe qendra të paraburgimit dhe toleranca ndërmjet të burgosurve janë të njëjta në të gjitha shërbimet korrektuese”, tha Bedrije Syla, Mbikëqyrëse në Qendrën Korrektuese në Lipjan. Ajo, gjithashtu, u shpreh se kishte shpresë që në një ët ardhme të afërt do të bëhen edhe përmirësime në teknologjinë e pajisjeve të tyre të sigurisë.

Alina Laura Matache, Koordinatore e EULEX-it për Tranzicion dhe Menaxhere e Projektit për këtë trajnim të financuar nga EULEX-i e theksoi rëndësinë e ndryshimit të kulturës institucionale në SHKK me anë të këshillimit dhe trajnimit. Përvoja në një numër të vendeve vë në pah se femrat mund t’i kryejnë detyrat normale të një oficeri korrektues njësoj si meshkujt.

Pas krijimit të Shoqatës, ky Mision, përmes Njësisë Korrektuese të tij, vazhdon që ta mbështesë në mënyrë aktive zbatimin e strategjisë gjinore në kuadër të Shërbimit Korrektues.