Lajme

Policia e Kosovës: Rritja e vetëdijesimit për bashkëpunimin policor ndërkombëtar

25 nëntor 2016

Si pjesë e trajnimit për ngritjen e bashkëpunimit policor ndërkombëtar, Misioni EULEX organizoi një kurs njëjavor për Policinë e Kosovës (PK) me qëllim të rritjes së performancës dhe ngritjes së vetëdijesimit të njësive hetimore të PK-së sa i përket instrumenteve dhe kanaleve për bashkëpunimin policor ndërkombëtar. Gjatë trajnimit pati prezantime nga një numër konsulentësh të jashtëm të specializuar në fushën e standardeve dhe shërbimeve të INTERPOLIT dhe të instrumenteve dhe kanaleve të tjera për bashkëpunimin policor ndërkombëtar.

Pasi që Policia e Kosovës ende nuk është anëtare formale e INTERPOL-it dhe EUROPOL-it, detyrat e tyre lidhur me bashkëpunimin policor ndërkombëtar mundësohen përmes Njësisë së EULEX-it për Bashkëpunim Policor Ndërkombëtar (NJBPN), nëpërmes Zyrës së UNMIK-ut për Ndërlidhje me Interpolin dhe Zyrës së Bashkimit Evropian për Inteligjencë Kriminale (EUOCIU).

Gjatë këtyre katër ditëve, pjesëtarët e PK-së janë trajnuar se si t’i trajtojnë kërcënimet më të rënda kriminale me të cilat ballafaqohen Kosova dhe BE-ja, përfshirë homologët ndërkombëtarë dhe shtetet fqinje. Ky trajnim përfshiu temat e lidhura me kërcënimet, si terrorizmi, krimet kibernetike dhe trafikimi i njerëzve. Vëmendje e veçantë iu kushtua mjeteve dhe instrumenteve të Komisionit Evropian: si "Agjenda evropiane për sigurinë ", "Agjenda evropiane për migrimin" dhe "Plani Evropian i Veprimit kundër kontrabandimit të migrantëve ". Po ashtu, rëndësi e veçantë iu kushtua edhe ndihmës juridike të ndërsjellë, konfiskimit të pasurisë dhe ekstradimeve me vendet me të cilat ekzistojnë marrëveshjet bilaterale.

Vincenzo Giancarlo Cardinale, Shef i Njësisë së Policisë Ndërkombëtare në EULEX, e mirëpriti këtë trajnim të përshtatur për menaxherët e rasteve nga Departamenti i PK-së për krim të organizuar, Njësia kundër krimeve ekonomike, Task-forca kundër korrupsionit, DIA, Njësia për ekstradime, dhe Ministria e Drejtësisë.

“Ditëve të sodit bashkëpunimi policor ndërkombëtar është jetik, i rëndësishëm dhe thelbësor. Më vjen mirë që përmes këtij trajnimi janë fuqizuar aftësitë e PK-së për përdorimin e kanalit të duhur për shkëmbimin e informatave dhe për krijimin e ekipeve të përbashkëta hetimore në raste të caktuara” tha Vincenzo Giancarlo Cardinale në përfundim të këtij trajnimi.