Lajme

Bashkëpunimi Policor Ndërkombëtar – Luftimi i trafikimit të mallrave të kundërligjshme

28 tetor 2016

Njësia për zbatimin e ligjit ndërkombëtar e EULEX-it e organizoi një punëtori dy ditore më 26 dhe 27 tetor për Policinë dhe Doganën e Kosovës. 

Ekspertë nga Policia e EULEX-it e organizuan këtë trajnim me qëllim që ta afrojnë sa më shumë praktikën e punës për Doganën dhe Policinë e Kosovës dhe Njësisë së tij për Bashkëpunim Ligjor Ndërkombëtar (NJBLN), lidhur me mënyrën e parandalimit dhe luftimit të trafikimit të mallrave të kundërligjshme. 

Njëri prej qëllimeve të trajnimit ishte edhe bërja e Njësisë për Zbatimin e Ligjit Ndërkombëtar (NJZLN) të Policisë së Kosovës pikë kontakti për shkëmbimin e informatave ndërmjet të gjitha agjencive për zbatimin e ligjit në Kosovë, të cilat janë të përfshira nga afër në luftimin e trafikimit të mallrave të kundërligjshme. Gjatë këtij trajnimi u diskutuan shumë edhe mënyrat se si të zbatohet qasja e integruar e cila është miratuar nga Interpoli dhe Europoli.   

Tema konkrete të rëndësishme, si Krimet me pronën intelektuale, rreziku i markave certifikuese të falsifikuara, zhvillimi dhe trendët e fundit në falsifikimin e mallrave, roli fondamental i bashkëpunimit policor ndërkombëtar për këto krime, ishin bazat kryesore të këtij trajnimi. 

Kjo është hera e parë që organizohet një punëtori me rëndësi kaq të madhe. Ajo u prit jashtëzakonisht mirë nga Policia dhe Dogana e Kosovë, të cilët do të përfitojnë nga praktikat më të mira evropiane lidhur me luftimin e mallrave të kundërligjshme dhe të falsifikuara.

Një aspekt plotësues dhe shumë i rëndësishëm i kësaj punëtorie ishte zbërthimi dhe të kuptuarit e grupeve të organizuara kriminale transnacionale të cilat janë shpesh herë të përfshira në trafikimin e ilaçeve të falsifikuara në internet apo të ushqimeve dhe pijeve të falsifikuara të cilat kanë ndikim të madh në shoqërinë civile. 

Shefi i Njësisë së EULEX-it për Bashkëpunim Policor Ndërkombëtar Vincenzo Cardinale gjatë hapjes së punëtorisë theksoi: “Grupet e organizuara kriminale transnacionale të përfshira në këtë fushë nuk i dekurajojnë kufijtë, si dhe ato shpesh herë kryejnë edhe veprimtari tjera kriminale si trafikim të njerëzve (duke e shfrytëzuar fuqinë punëtore) apo pastrim të parave” 

Një strategji e suksesshme me synim shpërbërjen e këtyre grupeve kriminale do të ishte përfshirja e të gjitha agjencive për zbatimin e ligjit nga vendet e origjinës, të kalimit transit dhe atyre që janë destinacion në kuadër të ombrellës së Interpolit dhe Europolit. Po ashtu, partneriteti publiko-privat e ka një rol të rëndësishëm për luftimi efektiv të Krimeve me pronën intelektuale.

Zëvendës-shefi i NJZLN  të Policisë së Kosovës, z. Besnik Sallahu, i cili e vlerësoi këtë trajnim si jashtëzakonisht të vlefshëm për Policinë e Kosovës, theksoi se mbledhja e njohurive nga ekspertët e EULEX-it të kësaj fushe do t’u ndihmojë pjesëtarëve të PK-së në punën e tyre të përditshme. 

“Ky trajnim do t’u ndihmojë shumë hetuesve tonë të cilët punojnë në fushën e krimeve ekonomike. Ne e falënderojmë EULEX-in që e organizoi këtë trajnim me një temë kaq përmbajtësore dhe shpresojmë që trajnime të ngjashme të organizohen edhe në të ardhmen, pasi që përgatitja dhe përvoja e ekspertëve të ndryshme nga vendet e BE-së do ta fuqizonte Policinë e Kosovës në fusha të ndryshme operacionale” tha z. Sallahu.