Lajme

EULEX-i avancon bashkëpunimin me Policinë e Kosovës

04 dhjetor 2015

Si pjesë e mandatit të vet për monitorim, mentorim dhe këshillim, EULEX-i është duke e mbështetur Policinë e Kosovës (PK) në kryerjen e operacioneve për pengimin e prerjes ilegale të drurit në gjithë Kosovën. Përmes operacioneve të PK-së, sektori për Fuqizim i EULEX-it është i përkushtuar për avancimin e bashkëpunimit mes PK-së në pjesën veriore dhe PK-së në pjesën jugore, dhe bashkëpunimin mes Agjencisë Pyjore të Kosovës dhe Agjencinë Pyjore të Serbisë. 

Sipas Agjencisë Pyjore të Kosovës, 42% e Kosovës është e mbuluar me pyje. Prandaj edhe nuk është për t’u habitur se prerja ilegale e drurit paraqet një problem afatgjatë dhe një veprimtari kriminale fitimprurëse (EULEX-i e ka mbuluar këtë pjesë këtu). Është llogaritur se vetëm në Leposaviq prerja ilegale e drurit paraqet një industri shumëmilionëshe. Komuna është dëmtuar në masë të madhe nga prerja ilegale e drurit ku një pjesë e madhe e pyjeve tashmë është zhveshur.   

Prandaj, përveç se kjo veprimtari konsiderohet kriminale, prerja ilegale drurit paraqet një rrezik serioz për mjedisin, duke përfshirë erozionin e dheut që pastaj çon deri te vërshimet dhe rrëshqitja e dheut.   

Përveç shqetësimeve mjedisore, prerja ilegale e drurit shkon në dëm të zhvillimit ekonomik – përmes kufizimit të qeverisë për qasje në të ardhurat e krijuara nga pylltaria dhe në pengimin e konkurrencës  – dhe duke i dobësuar edhe më tutje strukturat e sundimit të ligjit. Ky shqetësim është veçanërisht i shprehur në pjesën veriore të Kosovës, ku EULEX-i është duke punuar në fuqizimin e institucioneve dhe të llogaridhënies.  

Për luftimin e këtij problemi, PK-ja në pjesën veriore dhe PK-ja në pjesën jugore, me mbështetjen dhe udhëzimet e dhëna nga Këshilltari Rajonal i EULEX-it, Pascal Scordia, dhe ekipi i tij, i kanë planifikuar disa operacione për pengimin e kësaj praktike dhe identifikimin e grupeve kryesore kriminale të cilat janë përgjegjëse për shkaktimin e shumicës së shpyllëzimeve. Për ta realizuar këtë, PK-ja ka filluar me zbatimin e taktikës policore të pengimit. Pas identifikimit të rrugëve që shfrytëzohen nga prerësit ilegal të drurit, dhe të orareve kur ata gjatë ditës kalojnë nëpër këto rrugë, janë vendosur pika të kontrollit për të zënë në rrugë kamionët për të cilët dyshohet se transportojnë masë drusore e cila është prerë ilegalisht. Nga shoferët kërkohet që të kenë me vete dokumentacionin adekuat për masën drusore, e të cilin të shumtën e rasteve nuk e kanë, ndërsa kamionët nuk janë të regjistruar për sasinë e drurit të cilën e transportojnë.  

Aktivitetet e përmendura më lart do të ndihmohen nga Agjencia Pyjore e Kosovës dhe Agjencia Pyjore e Serbisë, meqenëse ato posedojnë ekspertizën e nevojshme – në kuptim të formularëve dhe të dokumentacionit  – dhe njohurisë – në identifikimin e drurit të prerë ilegalisht  – për t’i mundësuar kështu PK-së që të kryej veprimet e veta. Ky informacion i mundëson PK-së që të zbulojë shtigjet e drurit të prerë ilegalisht të cilat çojnë tek grupet kriminale dhe kështu të sigurojnë prova për ndërtimin e një rasti kundër tyre.  

Përderisa luftimi i prerjes ilegale të drurit  është qëllimi kryesor i këtij operacioni, EULEX-i është njësoj i shqetësuar për bashkëpunimin në mes të aktorëve të përfshirë. Meqenëse pyjet shpesh gjenden në vijat kufitare, qoftë komunale ose të juridiksionit, informacioni që e kanë PK-ja në veri dhe PK-ja në jug është i vlefshëm vetëm kur bashkohet për të krijuar një pasqyrë të plotë. Po i njëjti parim aplikohet për informacionin të cilin e kanë Agjencia Pyjore e Serbisë dhe Agjencia Pyjore e Kosovës. 

Duke qenë se EULEX-i vazhdon të ofrojë mbështetje për PK-në, ai është i inkurajuar nga fakti se ky operacion është i pari i cili i ka bashkuar PK-në në veri dhe PK-në në jug për të punuar së bashku.  Për më tepër, linjat e hapura të komunikimit dhe bashkëpunimi afatgjatë mes agjencive të zbatimit të ligjit mbeten me rëndësi kyçe për zgjidhjen e këtij lloji dhe llojeve tjera të krimit që cilat ndodhin në Kosovë.