Lajme

EULEX-i, Agjencia e Kosovës për Informim dhe Privatësi dhe Akademia e Drejtësisë organizojnë një punëtori në lidhje me Ligjin për Qasje në Dokumente Publike

15 mars 2023

Më 15 mars, Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) mbështeti organizimin e një punëtorie në lidhje me zbatimin e Ligjit për Qasje në Dokumente Publike, e cila mblodhi 61 gjyqtarë, prokurorë, zyrtarë të Policisë së Kosovës, dhe përfaqësues të tjerë të institucioneve të sundimit të ligjit.

Punëtoria “Qasja në dokumente publike të cilat i posedon policia dhe institucionet e drejtësisë” u organizua së bashku me Agjencinë e Kosovës për Informim dhe Privatësi (AIP) dhe Akademinë e Drejtësisë. Punëtoria pati për qëllim diskutimin e thellë të zbatimit të Ligjit për Qasje në Dokumente Publike, përmes analizimit të barrierave dhe sfidave kryesore që hasen nga institucionet e sundimit të ligjit dhe shqyrtimit të praktikave të mira.

Në fjalimin e saj, Komisionerja e Agjencisë për Informim dhe Privatësi, Krenare Sogojeva-Dërmaku, theksoi se dhënia e qasjes në dokumente publike ngritë kredibilitetin e institucioneve publike: “Zbatimi i ligjit për qasje në dokumente publike e rritë besueshmërinë në institucionet publike në njërën anë, dhe në anën tjetër e mundëson realizimin e së drejtës të qytetarëve për të qenë të informuar.”

Pavarësisht përmirësimeve domethënëse tek qasja në dokumente publike të cilat i posedojnë institucionet e drejtësisë, Komisionerja shtoi se gjykatat, prokuroritë, Policia e Kosovës dhe Inspektorati Policor duhet të japin në mënyrë proaktive qasje në dokumente publike, çka edhe është obligim ligjor i tyre. “Gjykatat, prokuroritë, Policia e Kosovës dhe Inspektorati policor, bazuar gjithherë në statistikat e Agjencisë për Informim dhe Privatësi, kanë treguar një ngritje të vetëdijes institucionale në raport me qasjen në dokumentet publike,” tha Sogojeva-Dërmaku.

Shefi i EULEX-it, Lars-Gunnar Wigemark, shpjegoi se e drejta për qasje në dokumente publike i takon çdonjërit pa diskriminim.  “Për të siguruar realizimin e kësaj të drejte, institucionet duhet të jenë transparente, llogaridhënëse dhe proaktive. Kur institucionet publike veprojnë në mënyrë të qasshme, transparente dhe llogaridhënëse, besimi i qytetarëve të rëndomtë padyshim se shtohet. Secili qytetar do ta kishte të vështirë të bënte zgjedhje apo vendim të informuar apo të angazhohej në mënyrë kuptimplote me institucionet publike nëse ai nuk do ta dinte se çka janë duke bërë ato institucione. Kjo është arsyeja përse mundësimi i qasjes në dokumente publike, në pajtim me legjislacionin ekzistues, është esencial,” tha Wigemark.

Drejtori i Akademisë së Drejtësisë, Enver Fejzullahu, foli për përkushtimin e Akademisë për avancimin e diskutimit të hapur për këtë temë kaq relevante: “Për neve si Akademi e Drejtësisë është nder dhe privilegj që të kemi shkëmbim të përvojave mes institucioneve, edhe me ekspert dhe me praktika të ndryshme, për të vetmin qëllim: ta avancojmë llogaridhënien dhe të ofrojmë atë të cilën me ligj jemi të mandatuar ta bëjmë,” potencoi Fejzullahu.

Gzim Shala, Menaxher i programeve dhe hulumtues ligjor i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi, diskutoi për standardet kushtetuese dhe ligjore të ligjit, duke u përqendruar në çështjen e mohimit të qasjes në lidhje me dokumentet e klasifikuara për shkak të çështjes së sigurisë publike.

Shala theksoi nevojën për rregullimin e kritereve për mundësimin apo refuzimin e qasjes në dokumente publike, me qëllim të sigurimit të zbatimit të saktë të ligjit. “Mënyra më e mirë për të ndërtuar besimin e publikut në institucione është transparenca e institucioneve. Edhe pse kërkesat për qasje në dokumente publike mund të paraqesin punë shtesë, kjo flet për interesimin e publikut për monitorim të institucioneve, fakt ky që ngrit transparencën institucionale," tha Shala.

Blerta Iberdemaj, zyrtare ligjore dhe monitoruese në BIRN prezantoi disa raste të mëparshme ku e drejta për qasje në dokumente publike është shkelur. Ajo po ashtu diskutoi me pjesëmarrësit për konceptin e interesit publik: “Qasja e qytetarëve në dokumente publike si e drejtë themelore në një shoqëri demokratike nënkupton respektimin e parimeve të transparencës dhe llogaridhënies. Duke e pasur parasysh rëndësinë e sundimit të ligjit në çdo shoqëri demokratike, policia, prokuroria dhe gjykatat duhet të garantojnë respektimin e kësaj të drejte që kontribuon në rritjen e besimit dhe shtimin e legjitimitetit në sytë e qytetarëve”.

Zoran Šimić nga Njësia për Informim Publik dhe Komunikim e Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) shpjegoi funksionimin e regjistrit publik të gjykatës të këtyre Dhomave, i cili mundëson qasjen në rreth 4000 regjistra publikë që ndërlidhen me raste, siç janë fletë-arrestet, aktakuzat, vendimet apo kërkesat.

Punëtoria përfundoi me një prezantim të Drejtoreshës ekzekutive të Lëvizjes FOL, Mexhide Demolli, e cila bëri një analizë të obligimeve ligjore të institucioneve publike për shfaqjen e dokumenteve publike nëpër faqet e tyre të internetit, vlerësimit të nivelit të përputhshmërisë së disa institucioneve të sundimit të ligjit vis-à-vis këtyre kritereve, dhe identifikimit të fushave aktuale të përmirësimit. “Qasja në dokumente publike është një ndërlidhje e rëndësishme midis qytetarëve dhe institucioneve publike, dhe si e tillë duhet të mirëmbahet rregullisht,” theksoi Demolli.

Kjo punëtori ishte e dyta nga një seri e punëtorive që kanë për qëllim rritjen e llogaridhënies dhe transparencës së institucioneve të sundimit të ligjit. Më 21 shkurt, këta pjesëmarrës vijuan edhe punëtorinë “Drejtësia përballë mbrojtjes së të dhënave personale”.