Lajme

Intervistat e Shefit të Misionit EULEX me BBC dhe Deutsche Welle për situatën e sigurisë në pjesën veriore të Kosovës

29 dhjetor 2021

Më 28 dhjetor, BBC transmetoi një intervistë të drejtpërdrejtë me Shefin e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), Lars-Gunnar Wigemark.

Shefi i EULEX-it i ka komentuar zhvillimet e fundit të sigurisë në pjesën veriore të Kosovës, duke paralajmëruar për rreziqet e përshkallëzimit të dhunës dhe duke kërkuar nga palët që t'i kthehen dialogut.

"Ne të gjithë kemi qenë shumë të shqetësuar nga tensionet dhe përshkallëzimi në rritje që kemi parë, veçanërisht gjatë dy javëve të fundit, dhe prej se u ngritën këto barrikada të paligjshme dhe bllokada të rrugëve", tha Wigemark, duke shtuar se: "Kjo është me të vërtetë e pashembullt. Duhet të kthehemi së paku dhjetë vjet mbrapa për të parë diçka të tillë në veri të Kosovës”.

Duke theksuar se gjëja e fundit që i duhet Evropës në këtë kohë është një konflikt tjetër, Shefi i EULEX-it theksoi se tensionet duhet të zgjidhen me dialog dhe jo në rrugë dhe me barrikada, duke thënë: “Ne po avokojmë për ulje të tensioneve, zgjidhje të negociuar, ku hiqen këto barrikada të paligjshme, rikthehet liria e lëvizjes dhe sundimi i ligjit”.

Më 29 dhjetor, Wigemark u intervistua nga Deutsche Welle. I pyetur për heqjen e paralajmëruar të ardhshme të barrikadave, ai konfirmoi se Misioni po priste me padurim heqjen e tyre.

Duke komentuar vakumin aktual ekzistues të sigurisë dhe sundimit të ligjit pas dorëheqjes së serbëve të Kosovës nga Policia dhe gjyqësori i Kosovës, Shefi i EULEX-it shpjegoi se Misioni mund të përpiqet ta plotësojë vetëm pjesërisht këtë vakum, duke shtuar: “Ne kemi një forcë policore me mandat të kufizuar. Ne bashkëpunojmë ngushtë me Policinë e Kosovës dhe veprojmë vetëm me kërkesën e qartë të saj”.

“Sigurisht që shpresoj se të gjithë do të dëshironin të ketë paqe në rajon”, tha Wigemark, duke i bërë thirrje të gjithëve që të kthehen në tryezën e bisedimeve.