Lajme

Intervistë e Shefit të EULEX-it me Kossev mbi zhvillimet e fundit të sigurisë në pjesën veriore të Kosovës

16 nëntor 2022

Më 16 nëntor, Shefi i Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), Lars-Gunnar Wigemark, dha një intervistë për Kossev, ku diskutoi mbi zhvillimet e fundit të sigurisë në pjesën veriore të Kosovës dhe rolin e EULEX-it si reagues i dytë i sigurisë për ruajtjen e stabilitetit për të gjitha komunitetet në Kosovë.

Wigemark komentoi mbi situatën e përgjithshme duke theksuar se ajo është e qetë, por, sa i përket sigurisë, ajo ende është shumë e brishtë, për shkak të vakumit të sigurisë që është krijuar pas dorëheqjes së zyrtarëve policorë serb të Kosovës.

Shefi i EULEX-it bëri një shpjegim mbi praninë aktuale të zyrtarëve policorë të EULEX-it në pjesën veriore të Kosovës: “Nuk janë të gjithë të angazhuar njëkohësisht, ata punojnë me ndërrime. Pikë së pari, ata kryejnë patrullime vëzhgimi mobile, dhe që nga sot [16 nëntor] ata kanë filluar edhe me patrullime në këmbë në Mitrovicë dhe vende të tjera, thjeshtë për të treguar prani, për të treguar se jemi atje,” tha ai.

Për sa i përket rolit të Misionit si reagues i dytë i Kosovës për siguri dhe praninë e tij të shtuar në pjesën veriore të Kosovës, Wigemark shpjegoi se EULEX-i i ofron mbështetje Policisë së Kosovës, dhe, ndryshe prej KFOR-it, Misioni është organizatë civile: “Ne nuk mund të marrim përsipër dhe të zëvendësojmë Policinë e Kosovës,” theksoi ai.

Wigemark përfundoi intervistën duke iu bërë thirrje të gjithëve që të jenë të qetë, të mos i kontribuojnë tensioneve në asnjë mënyrë, dhe të shmangin çdo retorikë nxitëse: “Kjo është situatë e ndjeshme, tensionet janë të larta, dhe unë mendoj se të gjithë duhet të bëjmë maksimumin për uljen e atyre tensioneve,” theksoi ai.

Intervista e plotë: https://kossev.info/vigermark-euelex-od-danas-u-pesackim-patrolama-na-severu-ali-oni-ne-mogu-da-zamene-kosovsku-policiju/