Lajme

Këshilltarja për çështje gjinore e EULEX-it prezanton punën e EULEX-it për luftën kundër dhunës seksuale

26 shtator

Më 26 shtator, Këshilltarja për çështje gjinore e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), Chiara Tagliani, iu bashkëngjit një sesioni ku u debatua mbi rolin e Institutit të Mjekësisë Ligjore në adresimin e rasteve të sulmeve dhe dhunës seksuale dhe rëndësinë e raportimit etik dhe me ndjeshmëri gjinore. Sesioni informativ u organizua nga Misioni i OSBE-së në Kosovë dhe u ndoq nga përfaqësues të mediave dhe të shoqatave të gazetarëve.

Tagliani dha një prezantim të shkurtër mbi aplikimin e standardeve ndërkombëtare të të drejtave të njeriut në Kosovë dhe shpjegoi punën e bërë nga Misioni në mbështetje të institucioneve të Kosovës në luftën kundër dhunës seksuale dhe dhunës në baza gjinore, që përfshinë fushatën “Ma thuaj me kohë”, e zbatuar në bashkëpunim me Institutin e Mjekësisë Ligjore, vlerësimin e trajtimit të rasteve të dhunimeve nga ana e sistemit të drejtësisë së Kosovës, krijimin e një udhërrëfyesi për Ministrinë e Drejtësisë mbi themelimin e shërbimeve mbështetëse të specializuara për viktimat e veprave të dhunës seksuale, dhe mbështetjen e grupit punues përgjegjës për hartimin e protokollit për referimin dhe trajtimin e rasteve të dhunës seksuale.