Lajme

Fjalimi i Shefit të Misionit gjatë aktivitetit “Konvoji i EULEX-it për Ukrainën”

12 korrik 2022

(kontrollo si është lexuar)

Dëshiroj t’i shpreh mirëseardhje këtu sot Zëvendëskryeministres dhe Ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës të Kosovës, Donika Gërvalla -Schwarz Shefit të Zyrës së BE-së në Kosovë dhe Përfaqësuesi Special i BE-së, Tomáš Szunyog Përfaqësuesi i Lartë Kombëtar i Kontingjentit të Ukrainës në KFOR, Ivan Nastenko Lydmilës , Darias, Viktoriaas dhe Marynas, katër nga gazetaret ukrainase që aktualisht jetojnë në Kosovë, dhe ta përshëndes edhe stafin tonë të EULEX-it të cilët vijnë nga Kosova dhe disa vende të BE-së. 

Prania juaj këtu është dëshmi se si mbrojtja heroike e popullit ukrainas po na frymëzon të gjithëve për ta mbështetur Ukrainën. 

Jemi mbledhur këtë paradite këtu për t’i nisur dhjetë automjete të misionit EULEX Kosova për në Ukrainë. Këto automjete do t'i dhurohen policisë kufitare shtetërore të Ukrainës. Ne po i dhurojmë gjithashtu dy furgona special për përcjelljen e të burgosurve në Ukrainë. Ky donacion do të lehtësohet nga kolegët tanë në Misionin Këshillues të BE-së në Ukrainë (EUAM), i cili është një mision civil i CSDP-së i ngjashëm me EULEX-in. 

Secili automjet është i ngarkuar me furnizime humanitare për Ukrainën, të mbledhura dhe të paguara nga stafi ndërkombëtar dhe vendas që punon në misionin EULEX Kosova. Nisma për ta shfrytëzuar këtë donacion për të dërguar edhe furnizime humanitare në Ukrainë, si p.sh artikujt ushqimorë dhe jo ushqimorë, duke përfshirë rrobat, thasë gjumi, materiale për higjienën personale dhe furnizime mjekësore, buroi drejtpërdrejt nga vetë stafi i Misionit, i cili i ka mbledhur dhe blerë të gjitha furnizimet. Stafi ynë gjithashtu mblodhi para të gatshme dhe po i mbështet 23 familje të zhvendosura brenda vendit. Unë jam krenar për stafin e Misionit. Ata tregojnë në praktikë se çfarë do të thotë solidariteti me Ukrainën dhe popullin e saj. 

Ky donacion është një pjesë e mbështetjes së misionit EULEX Kosova për vëllezërit dhe motrat tona në Ukrainë. Pothuajse tre muaj më parë, EULEX-i dhuroi një numër jelekësh anti-plumb dhe helmeta për kolegët tanë në Misionin në Ukrainë, pasi ata u kishin dhënë pajisjet e tyre kolegëve ukrainas kur u evakuan në fund të shkurtit. 

EULEX-i është duke e ndarë gjithashtu përvojën e tij të gjerë në hetimin e krimeve të luftës me kolegët në Misionin Këshillues të BE-së në Ukrainë, të cilët i mbështesin autoritetet ukrainase për hetimin dhe ndjekjen penale të krimeve të luftës të kryera gjatë agresionit rus kundër Ukrainës. 

Dhe ndërsa tani kur po flasim, ne jemi duke i shqyrtuar mundësitë se si mund ta mbështesim EUAM-in për zbatimin e mandatit të tij të ri, duke përfshirë ofrimin e trajnimeve në fushën e mjekësisë ligjore. 

Shpresojmë që e gjithë kjo mbështetje, së bashku me mbështetjen e të gjithë BE-së, do ta ndihmojë popullin e Ukrainës, shumë prej të cilëve janë detyruar të largohen nga vendi i tyre. Natyrisht, shumë qytetarë të Kosovës e dinë nga përvoja e dorës së parë se çfarë do të thotë të bëhesh refugjat dhe të ekspozohesh ndaj agresionit. 

Solidariteti i Kosovës me Ukrainës është i dukshëm në shumë mënyra, duke përfshirë “ Programin e Gazetarëve Rezident”. Kosova gjithashtu është rreshtuar me pothuajse të gjitha qëndrimet e përbashkëta të politikës së Jashtme dhe të Sigurisë të BE-së dhe mezi pres ditën – në një të ardhme jo shumë të largët – kur Kosova do të merr pjesë në Misionet e Përbashkëta të Sigurisë dhe Mbrojtjes. Kosova me veprimet e saj po dëshmon se ku e ka vendin.