Lajme

Shefi i Misionit të BE-së për Sundimin e Ligjit në Kosovë në video-ligjëratë me studentë të Universitetit të Karolinës së Veriut

01 qershor 2020

Vitin e kaluar ne ua hapëm dyert studentëve nga Universiteti i Karolinës së Veriut-Chapel Hill për një vizitë studimore interesante dhe mjaft të gjallë. Këtë vit, për shkak të epidemisë me koronavirus, ne i hapëm dyert tona virtuale në vend të atyre të vërteta për një grup tjetër studentësh entuziastë të këtij universiteti, të cilët patën një diskutim të gjerë dhe të thuktë me Shefin e Misionit të BE-së për Sundimin e Ligjit në Kosovë, Lars-Gunnar Wigemark, mbi rolin e misioneve civile të Politikës së Përbashkët të Sigurisë dhe Mbrojtjes (CSDP), për mandatin aktual dhe aktivitetet e përditshme të këtij Misioni, si dhe për sfidat me të cilat po përballet tani EULEX-i për shkak të izolimit si pasojë e COVID-19. 
 
Wigemark e kujtoi përvojën e tij si student universitar dhe pasuniversitar në SHBA, si dhe karrierën e tij si diplomat suedez dhe i BE-së.​ Para një sesioni mjaft të gjallë dhe përfshirës me pyetje e përgjigje, Shefi i EULEX-it gjithashtu e paraqiti një përmbledhje për këtë Mision, duke e sqaruar mandatin e kaluar ekzekutiv në gjyqësor, si dhe ndryshimet e rëndësishme në mandatin e EULEX-it gjatë vitetve të fundit.
 
Studentët më pas parashtruan pyetje mbi gjendjen e tanishme në kuadër të gjyqësorit, për bashkëpunimin e këtij Misioni në terren me partnerët e tjerë ndërkombëtarë dhe për lidhjet e tij me procesin e vendimmarrjes që bëhet në Bruksel dhe për qasjen e përgjithshme të BE-së ndaj Ballkanit Perëndimor. Ata gjithashtu ishin të interesuar të mësonin se si ka funksionuar ku Mision gjatë kufizimeve për shkak të epidemisë me COVID-19. Ambasadori Wigemark shpjegoi se si i ka mbështetur në mënyra të ndryshme EULEX-i institucionet e Kosovës gjatë këtyre kohërave të vështira, duke e përfshirë riatdhesimin e qytetarëve të Kosovës nga vendet e BE-së në një fluturim të organizuar nga ky Mision, si dhe me dhurimin e pajisjeve informatike për Shërbimin Korrektues të Kosovës dhe për fëmijët në nevojë për t’u siguruar qasje virtuale për kontakte familjare me të burgosurit dhe për mësimin në distancë përmes internetit.​