Lajme

Zhbogar dhe Meucci paraqitën faktet para Krasniqit

13 mars 2015

Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë/Përfaqësuesi Special i BE-së, Samuel Zhbogar, dhe Shefi i Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë – EULEX, Gabriele Meucci, takuan dje z. Jakup Krasniqi, Kryetar i Këshillit Kombëtar të NISMA-s.

Në një takim të hapur dhe konstruktiv ata shkëmbyen pikëpamjet e tyre mbi akuzat e publikuara kohët e fundit për ndërhyrje në procedurat gjyqësore lidhur me Kryetarin e NISMA-s, z. Fatmir Limaj.

Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë/PSBE, Zhbogar këmbënguli se BE-ja nuk ndërhyn në vendimet e gjykatës. Z. Zhbogar tha: "EULEX-i nuk është në Kosovë për të ndjekur asnjë agjendë politike, por është për drejtësi dhe sundim të ligjit. Ekzistojnë mekanizma për gjetjen e parregullsive të mundshme. Drejtësia kurrë nuk duhet të jetë politike, por e bazuar në prova dhe fakte."

Shefi i Misionit të EULEX-it, Meucci, paraqiti të gjitha faktet relevante për të ashtuquajturin "rastin Kleçka", që aktualisht është në pritje të apelit në Gjykatën e Apelit. Z. Meucci tha: "Është e vërtetë se paneli në nivelin e apelit është diskualifikuar nga Kryetari i Gjykatës së Apelit. Misioni e ka pranuar dhe e ka respektuar këtë vendim; Vendim që thoshte se institucionet e drejtësisë funksionojnë si duhet. Ky është edhe fakt."

Z. Meucci shpjegoi se akuzat e tjera që janë publikuar thjeshtë nuk ishin faktike. Misioni nuk ka ndërhyrë në rezultatin e gjyqit. Asnjë anëtar i stafit të EULEX-it nuk ka kërkuar mbrojtje në lidhje me këtë rast. Dhe në fund, asnjë gjyqtar nga paneli i diskualifikuar nuk do të jetë në panelin e ri.

Të gjithë pjesëmarrësit shfaqën besimin e tyre se drejtësia do të trimfojë.