Fillimi  BreadCrumbTrailer Zyra për Komunikim dhe Media  BreadCrumbTrailerLajme  BreadCrumbTrailerFilluan ligjëratat nëpër shkolla si pjesë e...

Filluan ligjëratat nëpër shkolla si pjesë e fushatës “Ma thuaj me kohë”

24 shtator 2019

Gjatë dhjetë ditëve të fundit janë mbajtur një varg i ligjëratave edukative në kuadër të fushatës kundër dhunës seksuale “Ma thuaj me kohë” në një shkollë fillore dhe dy shkolla të mesme në Prishtinë. Një ekip i Institutit të Mjekësisë Ligjore bashkë me përfaqësuesit e Policisë së Kosovës dhe EULEX-it i mbajtën ligjëratat e para për nxënësit e këtyre shkollave ku folën për rëndësinë e ruajtjes së dëshmive biologjike në rastet e dhunës seksuale.

Dr. Bergita Curri, Specialiste e Mjekësisë Ligjore, u shpjegoi nxënësve të këtyre shkollave se çka është dhuna seksuale dhe cilat janë situatat e mundshme në të cilat kategoritë e rrezikuara u ekspozohen rreziqeve të qenit viktima të dhunës seksuale. Dr. Curri, gjithashtu shpjegoi se çka janë dëshmitë biologjike dhe se si duhen ruajtur ato në rastet e dhunës seksuale.

Përfaqësuesit e Policisë së Kosovës u përqendruan në hapat të cilët është duke i ndërmarrë policia për t’i mbrojtur viktimat e dhunës seksuale, ndërsa nxënësve u ofruan informata se si të veprojnë dhe kë duhet ta kontaktojnë nëse ata apo dikush që ata e njohin janë viktimë e dhunës seksuale.

Nxënësit treguan interesim të lartë për këtë temë aktuale duke u bërë ligjëruesve shumë pyetje përmbajtësore.

Këto ligjërata janë vetëm fillimi i kësaj fushate edukative mbarë-kosovare, e cila do t’i përfshijë 32 shkolla fillore dhe të mesme dhe do të zgjasë deri në mes të vitit 2020.
 

Prapa

Zyra për Komunikim dhe Media