Lajme

Mesazh nga Ushtruesi i detyrës së Shefit të EULEX-it me rastin e njëzetvjetorit të themelimit të Policisë së Kosovës

06 shtator 2019

Ushtruesi i detyrës së Shefit të EULEX-it, Bernd Thran, ishte sot i pranishëm në ceremoninë zyrtare të shënimit të njëzetvjetorit të themelimit të Policisë së Kosovës, gjatë së cilës EULEX-it iu nda mirënjohje në shenjë falënderimi për partneritetin dhe bashkëpunimin e ofruar.

Me rastin e shënimit të njëzetvjetorit të Policisë së Kosovës, Ushtruesi i detyrës së Shefit të EULEX-it përcolli mesazhin si në vazhdim:

“Me kënaqësi të madhe përcjell urimet e mia më të përzemërta për Policinë e Kosovës me rastin e njëzetvjetorit të themelimit të saj. Gjatë këtyre njëzet viteve, Policia e Kosovës në vazhdimësi është zhvilluar për t’u bërë një prej institucioneve më të besuara të Kosovës – sukses ky për të cilin EULEX-i ndjehet shumë krenar.

Me këtë rast gjithashtu dëshiroj të falënderoj Policinë e Kosovës për ndarjen e mirënjohjes për EULEX-in në shenjë falënderimi për partneritet dhe bashkëpunim në rrugën tonë të përbashkët. Në të vërtetë, që nga viti 2008, EULEX-i ka punuar krah për krah me Policinë e Kosovës dhe në mënyrë të konsiderueshme ka kontribuar për profesionalizmin dhe suksesin e saj me anë të aktiviteteve të monitorimit, mentorimit dhe këshillimit.

Gjatë njëmbëdhjetë viteve të bashkëpunimit tonë, dëshiroj të theksoj se EULEX-i po ashtu ka patur rol kyç në integrimin e policisë në veri. Sot, këshilltari i lartë policor i EULEX-it në veri ka raporte të mira dhe këshillon Drejtorinë rajonale të Policisë së Kosovës veri dhe katër stacionet policore nën komandën e saj.

Pas dorëzimit të suksesshëm të të gjitha dosjeve policore tek Policia e Kosovës, monitoruesit policorë të EULEX-it në nivelin e Policisë së Kosovës, duke u përqendruar në fushat tematike të krimeve nga e drejta ndërkombëtare, krimeve të dhunës në bazë gjinore dhe krimeve nga urrejtja, ofrojnë ekspertizë dhe këshilla për shqyrtimin e atyre çështjeve në mënyrë koherente. E falënderoj Policinë e Kosovës për bashkëpunimin e shkëlqyeshëm në këtë fushë.

Më tej, ekspertët e Misionit i kanë ndihmuar autoritetet e Kosovës përgjatë një procesi të gjatë dhe teknikisht sfidues të themelimit të pikëkalimeve të përbashkëta të përhershme nën përkujdesjen e Kosovës, të cilat janë dakorduar nën patronazhin e dialogut të facilituar nga BE-ja mes Prishtinës dhe Beogradit.

Përveç kësaj, Njësia e Policisë së Specializuar të EULEX-it mbanë kapacitetet e saj si reagues i dytë i sigurisë në Kosovë dhe kryen stërvitje të rregullta me Policinë e Kosovës dhe KFOR-in, përfshirë për përmirësimin e kapaciteteve të Policisë së Kosovës për kontrollimin e turmave dhe trazirave.

Misioni ynë po ashtu vazhdon me fasilitimin e çështjeve të bashkëpunimit policor ndërkombëtar me Policinë e Kosovës dhe i fuqizon kapacitetet e saj përmes projekteve të përcaktuara dhe vizitave studimore që kanë për qëllim t’i ndihmojnë Njësisë për bashkëpunim ndërkombëtar për zbatim të ligjit.

Për fund, ky moment historik nuk është një vetëm rast për të kremtuar punën e përbashkët që është bërë dhe për të theksuar partneritetin e fuqishëm që është zhvilluar që nga viti 2008, por është rast edhe për zotim për vazhdim dhe forcim të bashkëpunimit tonë me Policinë e Kosovës.

Unë i dëshiroj Policisë së Kosovës shumë suksese në përmbushjen e misionit të saj për zbatim profesional, efektiv dhe efikas të ligjit në Kosovë.

Ju e keni mbështetjen e plotë të EULEX-it.”