Komunikata për Shtyp

Komunikata për Shtyp

KOMUNIKATË E PËRBASHKËT: Mbahet takimi i radhës së Bordit të Përbashkët Bashkërendues për Sundim të Ligjit

16 shtator 2015

Prishtinë, 16 Shtator 2015 – Ministri i Drejtësisë, Prof. Dr. Hajredin Kuçi, së bashku me shefin e Misionit të EULEX-it në Kosovë, Gabriele Meucci, Shefin e Zyrës së BE-së në Kosovë, Samuel Zbogar, Kryesuesin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Enver Peci, dhe Kryesuesin e Këshillit Prokurorial të Kosovës, Aleksandër Lumezi, kanë mbajtur takimin e radhës të Bordit të Përbashkët Bashkërendues për Sundim të Ligjit. Në takim ka marrë pjesë edhe Drejtori Gjeneral i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni.  Në takim është miratuar Raporti i Progresit për Marrëveshjen Kompakte për periudhën korrik 2014 – korrik 2015. 

Anëtarët e Bordit kanë vlerësuar arritjet e shënuara në Raportin e Progresit për Marrëveshjen e Kompaktit, që dëshmojnë progres të matshëm drejt një sistemi të qëndrueshëm, llogaridhënës, shumë-etnik dhe të pavarur të drejtësisë. 

Ministri Kuçi ka përshëndetur dokumentimin e progresit në fushën  e sundimit të ligjit në këtë raport njëvjeçar. “Kam mirëpritur vlerësimin e punës së palodhshme të institucioneve të Republikës së Kosovës në procesin e përmbushjes së kritereve për liberalizim të vizave dhe fuqizimin e sundimit të ligjit përmes reformave të vazhdueshme. Njëkohësisht, jemi të përkushtuar që të punojmë edhe më tutje me përkrahjen e vazhdueshme edhe të Bashkimit Evropian, në adresimin e sfidave të shumta para nesh”, theksoi Ministri Kuçi.  

Ndërsa Shefi i Zyrës dhe Përfaqësuesi Special i BE-së në Kosovë, Samuel Žbogar ka deklaruar se mbështet përpjekjet e përbashkëta të vazhdueshme për të promovuar sundimin e ligjit në Kosovë. "Raporti i Progresit për Marrëveshjen Kompakte është një mjet i rëndësishëm që ndihmon punën që BE-ja po e bën në Kosovë, në proceset e veçanta integruese të Kosovës në BE lidhur me sundimin e ligjit. Kam parasysh në mënyrë të veçantë punën që është bërë në përmirësimin e pavarësisë së sistemit të drejtësisë në Kosovë, pavarësisht nga çështjet që duhet ende të adresohen. Zyra e BE-së do të vazhdojë të mbështesë përpjekjet e institucioneve të Kosovës në këtë fushë, përfshirë këtu edhe nëpërmjet ndihmës për ngritjen e kapaciteteve dhe zhvillimin e infrastrukturës në kuadrin e programeve të IPA-s. Raporti gjithashtu luan një rol të rëndësishëm duke vënë në pah progresin teknik në përmbushjen e standardeve të përcaktuara në procesin e integrimit të Kosovës në BE", theksoi Žbogar.

Shefi i Misionit EULEX, Ambasadori Gabriele Meucci e lavdëroi Kosovën për të arriturat e shënuara prej Raportit të Kompaktit të parë në vitin 2012, duke theksuar se për t’i arritur synimet e përcaktuara në mënyrë të përbashkët nevojitet progres i mëtejmë. “Qëllimet ambicioze të këtij Raporti të Kompaktit janë përcaktuar për të siguruar që institucionet e sundimit të ligjit në Kosovë t’i arrijnë kapacitetet e nevojshme. Përmbushja e udhërrëfyesve tashmë të dakorduar me afatet e miratuara për realizimin e tyre vazhdon të jetë prioritet. EULEX-i është i gatshëm që të mbështesë Kosovën në përpjekjet e saj për të ndërtuar një sundim efikas të ligjit në të mirë të të gjithë qytetarëve të Kosovës”, theksoi Ambasador Meucci. 

Raporti i Progresit të Kompaktit i miratuar sot, përqendrohet në arritjet gjatë periudhës korrik 2014 – korrik 2015, si dhe në sfidat përpara në sistemin e drejtësisë, në rrafshin e policisë dhe doganave dhe në implementimin e marrëveshjeve në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë. 

Gjatë takimit të sotëm të Bordit të Përbashkët për Sundimin e Ligjit, ndër të tjera është diskutuar edhe përmbushja e kërkesave që dalin nga udhërrëfyesi për liberalizimin e vizave, përmbushja e veprimeve nga udhërrëfyesit e dakorduar në fushën e sundimit të ligjit, nisma e Ministrisë së Drejtësisë për rishikimin strategjik të sektorit të drejtësisë dhe masat e ndërmarra për fuqizimin e pavarësisë së sistemit të Drejtësisë dhe për të luftuar ndërhyrjet politike në sundimin e ligjit.