Komunikata për Shtyp

Komunikata për Shtyp

Njësia Rezervë e Policisë së Specializuar të EULEX-it mbanë ceremoninë e flamurit të saj

06 prill 2022

Njësia Rezervë e Policisë së Specializuar (NjPS) e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX) mbajti sot ceremoninë e flamurit të Forcës së Xhandarmerisë Evropiane (EUROGENDFOR), ku Komandanti i EUROGENDFOR-it, Kolonel Paulo Jorge Macedo Gonçalves, ia dorëzoi flamurin e EUROGENDFOR-it Komandantit të NjPS Rezervë, Major Pedro Miguel Raposo.

Nikoqir i ceremonisë ishte Shefi i EULEX-it, Lars-Gunnar Wigemark, dhe ajo u mbajt në kompleksin e EULEX-it për mbështetje në Fushë Kosovë, në praninë e Zëvendësdrejtorit të Përgjithshëm për Burime të Policisë së Kosovës, Dejan Jankovic, Komandantit të KFOR-it, Gjeneral Major Ferenc Kajári, Shefit të Komandës së Xhandarmerisë Franceze për Misione të Jashtme, Gjeneral Brigadier Francis Paccagnini, dhe ambasadorëve të Francës, Italisë dhe Holandës.

Shefi i EULEX-it tha: “Është kënaqësi dhe nderë të jem nikoqir i kësaj ceremonie për zbarkimin e Njësisë Rezervë të Policisë së Specializuar ofruar EULEX-it nga Forca e Xhandarmerisë Evropiane. Ky zbarkim dëshmon rëndësinë e Forcës së Xhandarmerisë Evropiane si forcë policore shumëkombëshe dhe e zbarkueshme me shpejtësi në plotësim të Misioneve të Politikës së Përbashkët të Bashkimit Evropian për Siguri dhe Mbrojtje në rolin e tyre në menaxhimin ndërkombëtar të krizave.”

“Kjo është hera e parë që ne kemi kërkuar forca rezervë për të mbështetur NjPS-në tonë në rolin e saj si reagues i dytë i sigurisë, që është pjesë e sistemit mjaftë unik treshtresor të reaguesve të sigurisë në Kosovë”, shtoi Wigemark.

“Shpreh vlerësimin tim për bashkëpunimin afatgjatë me kolegët tanë nga Policia e Kosovë dhe nga KFOR-i si reagues të parë dhe të tretë të sigurisë”, tha ai, duke përgëzuar në veçanti punën e Policisë së Kosovës për kalimin e rrjedhshëm të mijëra serbëve të Kosovës nëpër pikëkalimet e përbashkëta mes Kosovës dhe Serbisë ditën e diel.

Shefi i EULEX-it theksoi se Misioni është këtu në emër të Bashkimit Evropian dhe shteteve anëtare të tij për të siguruar mbulesë shtesë të sigurisë dhe për t’i siguruar partnerët kosovar se BE-ja ka interes të madh për një Kosovë stabile dhe paqësore në një kohë kur siguria në Evropë po sfidohet nga pushtimi rus i Ukrainës.

Komandanti i EUROGENDFOR-it falënderoi EULEX-in duke theksuar se si ishte ceremonia e sodit: “Një shenjë e qartë e besimit dhe mirënjohjes për kontributin e EUROGENDFOR-it për misionin civil më të madh ndonjëherë nën Politikën e Përbashkët të Bashkimit Evropian për Siguri dhe Mbrojtje.”

Kolonel Gonçalves më tej theksoi si: “EUROGENFOR-i është i përcaktuar të kryejë spektrin e plotë të detyrave policore brenda fushëveprimit të menaxhimit të krizave, dhe të kontribuojë për mbrojtjen e popullatës, respektimin e të drejtave të njeriut dhe vendosjen e sundimit të ligjit.”

Xhandarmët e Njësisë Rezervë të Policisë së Specializuar të EULEX-it u zbarkuan në Kosovë gjatë muajit mars për përforcimin e kapaciteteve të Njësisë ekzistuese të Policisë së Specializuar të EULEX-it (NjPS). 

Portugalia, Franca dhe Italia janë kontribuuese me forca të xhandarmëve në Njësinë Rezervë të Policisë së Specializuar.

Njësia Rezervë e Policisë së Specializuar zbarkohet si reagues ndaj nevojave të Misionit për forca shtesë në teren dhe për të mbështetur më mirë homologët kosovarë, nëse kërkohet dhe nëse është e nevojshme.

Zbarkimi i xhandarmëve të Njësisë Rezervë të Policisë së Specializuar, e ofruar nga EUROGENDFOR-it, tregon për qëllimin e EULEX-it për të vazhduar mbështetjen e stabilitetit të Kosovës dhe kontributin për sigurinë e grave, burrave, vajzave dhe djemve nga të gjitha komunitetet në Kosovë.