English        Shqip      Srpski
 
Change Textsize   Print this Article

Dashuria për zogjtë

13 korrik, 2011

Raymond Saliba

Derisa helikopteri që lëvizte me shpejtësi po kalonte mbi fusha dhe i afrohej platformës për zbritje, piloti kërkoi përmes radios që një mareshal i fluturimeve t’i ndihmonte për ta bërë zbritjen e sigurt. Piloti e dha një parallogaritje prej dhjetë minutave për kohën e mbërritjes, dhe padyshim që në kohën kur zogu ju afrua platformës për zbritjen e helikopterit, Raymond Saliba, mareshali i fluturimeve i EULEX-it, kishte zënë pozicionin dhe ishte në pritje të kryerjes së detyrave të tija me një precizitet të skajshëm. Deri sa helikopteri po i afrohej vijave në formë të shkronjës H në qendër të platformës për zbritje, mareshali i fluturimeve e shikoi pilotin dhe i ngriti duart për t’i komunikuar diçka. Pastaj, ai vazhdoi me lëvizje të tjera të duarve që vetëm ai dhe piloti i kuptonin, deri sa zogu bëri zbritjen e sigurt në folenë e tij në tokë.  Kjo procedurë duket si diçka shumë e thjeshtë. Por, vetëm personat që janë të përfshirë në të e dinë që kjo është procedurë e ndërlikuar që nuk lejon fare hapësirë për gabime. Një gabim i vetëm mund të kushtojë me humbje jete dhe miliona të djegura.

“Asnjëherë nuk kam gabuar, për shkak se kjo është detyrë me përgjegjësi të larta,” thotë Raymond.

Raymond Saliba, 50 vjeçar, është i vetmi mareshal i fluturimeve që shërben në EULEX. Punën e tij e kryen me shumë pasion, kujdes dhe përgjegjësi. Ai është pjesë e misionit prej vitit 2009 dhe ka qenë i pari nga kolegët e tij që e ka përfaqësuar vendlindjen e tij dhe forcën policore të Maltës në mision. Ai është zyrtar policor i rangut të parë me 32 vite përvojë pune në polici, 5 vite në shërbimin zjarrfikës dhe ka një ‘mal të tërë’ me mirënjohje nga autoritetet malteze dhe mbikëqyrësit e tij nga EULEX-i.

Raymond është në gjendje gatishmërie gjatë 24 orëve dhe siguron që zbritjet e shumta të helikopterëve që kryhen gjatë javës të bëhen sipas standardeve ndërkombëtare të aviacionit.

“Unë jam gjithmonë në gjendje gatishmërie (24/7) për t’ju ofruar mbështetje pjesëtarëve të ekipit, dhe për këtë arsye kam vijuar trajnime edhe për zbritjet që kryhen gjatë natës, e që janë shumë të ndryshme dhe shumë më të vështira për t’u realizuar,” tha Raymond.

Raymond ka një dashuri të thellë për zogjtë në përgjithësi, e jo vetëm për ata që janë mekanik. Në shtëpi ai i mban katër zogj, dy prej të cilëve janë papagaj afrikan dhe dy korba.

“Unë i ushqej ata çdo mëngjes, pra jam si nënë për ta, dhe kur i thërras, ata më vijnë në dorë ose në sup. Ata janë zogj shumë të zgjuar,” tha Raymond.

Duket se Raymond ka talent për të komunikuar me zogj dhe pasioni e njohuritë e tij rreth procedurave të helikopterëve e bëjnë atë të jetë ushtari i vetëm i ushtrisë së mareshalëve të fluturimeve në EULEX.