English Shqip / Srpski

Komunikata për media

Në Gjykatën Themelore të Ferizajt negociohet marrëveshja për pranim të fajësisë

Më 25 shkurt 2015, në Gjykatën Themelore të Ferizajt (dega në Kaçanik) një trup gjykues i përzier, i përbërë nga dy gjyqtarë ndërkombëtarë dhe një gjyqtar vendas, e konfirmoi marrëveshjen për pranimin e fajësisë të negociuar ndërmjet PSRK-së dhe të pandehurit R.A. nga Ferizaj. I pandehuri ishte i akuzuar për Shkaktim të Rrezikut të Përgjithshëm, Posedim të Paautorizuar të Armës së Zjarrit dhe Përdorim të Paligjshëm të Armës së Zjarrit.

Sipas kushteve të marrëveshjes për pranimin e fajësisë i pandehuri u dënua me nga dy vjet burgim për secilën prej akuzave. Megjithatë, pasi nga koha e arrestimit të tij në shtator 2013 i pandehuri ka qëndruar njëmbëdhjetë muaj në paraburgim dhe në arrest shtëpiak, atij për këtë periudhë kohore i janë llogaritur dy vjet, ndërsa pjesa e mbetur do të shndërrohet në dënim me kusht. Po ashtu, i pandehuri duhet të qëndrojë në arrest shtëpiak deri sa të skadojë afati aktual i arrestit shtëpiak më 26 mars 2015. Përveç kësaj, i pandehuri duhet t'i kryejë 100 orë të shërbimit në dobi të përgjithshme, në zonën e Ferizajt.

Fillimisht në këtë rast ishin shtatë të pandehur. Dy ishin policë në kohën kur kanë ndodhur veprat e penale të pretenduara. Njëri prej tyre e kishte gradën e togerit. Ata janë të akuzuar për Shpërdorim të Pozitës Zyrtare dhe Marrje të Mitës. Dy të pandehurit e tjerë tashmë e kanë pranuar fajësinë për Zhvatje dhe vepra të tjera penale lidhur me të dhe do të dënohen në fund të gjykimit kryesor. Një i pandehur tjetër është arratisur në fillim të gjykimit kryesor dhe për të janë lëshuar urdhër-arreste të brendshme dhe ndërkombëtare. Gjykimi kundër tre të pandehurve është në vijim e sipër.