English Shqip / Srpski

Komunikata për media

Aktgjykimi për një rast lidhur me tokë

9 shtator 2014

Prokurori i PSRK-së pajtohet plotësisht me aktgjykimin e nxjerrë nga Gjykata Themelore e Prizrenit (e mbledhur në Prishtinë). Të dhjetë të pandehurit u shpallën fajtorë për kryerjen e veprave penale lidhur me nxjerrjen e kundërligjshme të vendimeve gjyqësore dhe të dhënies ndihmë për nxjerrjen e kundërligjshme të këtyre vendimeve gjyqësore gjatë periudhës 2006-2007. Ky rast ka të bëjë me një tokë në pronësi shoqërore ku këta gjyqtarë të Gjykatës Komunale të Prishtinës nxorën vendime me qëllim që parcela të ndryshme të tokës me vlerë të lartë t'u barten paditësve privatë.

Prokuroria vërtetoi me sukses që O.J, S.M, S.S dhe T.M në pozitat e tyre si gjyqtarë në Gjykatën Komunale të Prishtinës dhe R.R, E.A dhe F.B në pozitat e tyre si gjyqtarë në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të çfarëdo dobie për vete ose për personin tjetër ose për t'i shkaktuar dëm personit tjetër nxorën vendime të kundërligjshme në 15 raste të tokave lidhur me Ndërmarrjen Shoqërore KBI Kosova Export, duke kryer në këtë mënyrë veprën penale të Nxjerrjes së Kundërligjshme të Vendimeve Gjyqësore.

Për më tepër, prokuroria vërtetoi që dy nga të pandehurit, H.B e cila kinse në cilësinë e saj si përfaqësuese ligjore e Ndërmarrjes Shoqërore dhe G.G si përfaqësues ligjor i disa prej paditësve e lehtësuan kryerjen e veprës duke ju ndihmuar gjyqtarëve gjatë periudhës 2006-2007. Në atë kohë N.U. ishte kryetar i Gjykatës Komunale në Prishtinë dhe kishte përgjegjësi të përgjithshme për udhëheqjen e Gjykatës Komunale. I pandehuri gjithashtu u dënua për nxjerrjen e kundërligjshme të vendimeve gjyqësore në bashkëpunim. Gjyqtarët vazhduan të nxjerrin në mënyrë të kundërligjshme vendime gjyqësore përkundër faktit që nuk kishin kompetenca për ta bërë këtë meqë e vetmja gjykatë që e kishte juridiksion për të vendosur lidhur me rastet ku përfshiheshin ankesat për tokë kundër ndërmarrjeve shoqërore ishte Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme të Kosovës.

Të gjitha palët kanë të drejtë ankese.