English Shqip / Srpski

Komunikata për media

Vendimi për rastin MTPT1 & MTPT2

10 qershor 2014

Sot, Gjykata Themelore e Prishtinës nxori Vendimin lidhur me kundërshtimet e provave dhe kërkesat për largimin e aktakuzës që ishte parashtruar nga të pandehurit në procedurën penale të dytë për të ashtuquajturin rasti "Ministria e Transportit, Postës dhe Telekomunikacionit" (MTPT 2).

Gjyqtari kryesues i konfirmoi shumicën e akuzave që i përmban aktakuza dhe vendosi që ta dërgojë rastin në gjykim.

Përveç kësaj, gjyqtari kryesues vendosi t'i bashkojë procedurat e rastit MTPT 2 me ato në vijim e sipër për rastin MTPT 1.

Gjykata vlerësoi se ka prova të mjaftueshme për dyshimin e bazuar se të pandehurit F.L, ish-Ministër i MTPT-së, N.K., ish Shef i Prokurimit në MTPT dhe S.T., truprojë e F.L., në vitin 2008 e kanë formuar një grup kriminal të organizuar i cili ka kryer veprën e rëndë penale Shpërdorim i pozitës zyrtare apo autoritetit. Synimi i pretenduar i këtij grupi kriminal të organizuar ishte dhënia e tenderëve fitimprurës për ndërtimin respektivisht mirëmbajtjen e rrugëve, kompanive për ndërtimin e rrugëve në bazë të lidhjeve politike dhe me anë të anashkalimit dhe manipulimit të procedurave të prokurimit.

Akuzat kundër të pandehurve F.L., N.K. dhe S.T. për Përvetësim në detyrë dhe Lidhje të kontratave të dëmshme u hodhën poshtë nga gjykata. Po ashtu, gjykata e hodhi poshtë akuzën për Marrje të mitos pasi që Prokuroria Speciale nuk kishte paraqitur dëshmi të mjaftueshme për këtë.

Gjykata i hodhi poshtë në tërësi akuzat kundër të të pandehurve A.A. dhe B.D. dhe i pushoi procedurat penale kundër tyre. Të pandehurit ishin akuzuar për veprat penale Shpërdorim i autorizimit ekonomik dhe Dhënie e mitos. Gjykata erdhi në përfundim se nuk ka prova të mjaftueshme në mbështetje të këtyre akuzave.

Në lidhje me provat e mbledhura nga prokuroria gjatë fazës hetimore, gjykata vlerësoi se ishin bërë disa shkelje të procedurave dhe i përjashtoi disa prej provave, veçanërisht deklaratat gjatë procedurës paraprake dhe përgjimet e komunikimeve.

Gjyqtari kryesues e miratoi kërkesën e prokurorit për t'i bashkuar rastet MTPT 1 dhe MTPT 2. Gjyqtari vlerësoi se bashkimi i rasteve do të ishte në interesin e drejtësisë dhe në përputhje me të drejtat e të pandehurve.

Prokuroria Speciale dhe avokatët mbrojtës kanë të drejtë ankese kundër këtij Vendimi të gjykatës lidhur me kundërshtimet e provave dhe kërkesat për pushimin e aktakuzës në Gjykatën e Apelit. Vendimi lidhur me bashkimin e rasteve MTPT 1 dhe MTPT 2 është përfundimtar dhe pa të drejtë ankese.