English Shqip / Srpski

Komunikata për media

Porosia e Shefit të Misionit EULEX me rastin e Ditës Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës Kundër Femrave

25 nëntor 2013, Prishtinë

Sot, më 25 nëntor, shënohet Dita për Eliminimin e Dhunës Kundër Femrave. Qëllimi i kësaj dite është sensibilizimi dhe theksimi i faktit se femrat në mbarë botën i nënshtrohen dhunës fizike dhe asaj seksuale, si brenda shtëpisë, ashtu edhe jashtë saj.

Fushata mbarë botërore e zhvilluar këtë vit, përmes së cilës theksohet dhuna kundër femrave, është mundësi për të reflektuar mbi përparimin e arritur, por edhe për të parë se sa duhet bërë për ta fuqizuar më tej përkushtimin ndaj të drejtave, paqes, dhe barazisë së femrave.

Misioni i EULEX-it e mbështetë Kosovën drejt ndërtimit të institucioneve të drejtësisë dhe të sigurisë për mbrojtjen e grave dhe vajzave prej dhunës dhe diskriminimit. EULEX-i aktualisht është i përfshirë në më shumë se dhjetë raste të hetimeve dhe të ndjekjeve penale të veprës së dhunimit, si krim lufte, dhe gjithashtu ai i ofron këshilla dhe mbështetje institucioneve të Kosovës në luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore.

Institucionet e Kosovës duhet të përgëzohen për krijimin e kornizës juridike për mbrojtjen e femrave, në veçanti, përmes caktimit të Koordinatorit Kombëtar kundër Dhunës në Familje, dhe për miratimin e procedurave standarde për mbrojtjen nga dhuna në familje. EULEX-i i mbështetë institucionet e Kosovës në përpjekjet e tyre për ngritjen e pjesëmarrjes së femrave që punojnë nëpër institucionet e sundimit të ligjit: pjesëmarrja më e madhe e femrave brenda strukturave të tyre është tejet e rëndësishme për reagimin ndaj kërcënimeve të sigurisë së femrave që janë viktima të dhunës gjinore.

Dhuna kundër grave dhe vajzave është krim si dhe shkelje e të drejtave të njeriut, e cila e prekë çdo shoqëri në mbarë botën. Shoqëritë në të cilat ka më pak dhunë kundër femrave janë dëshmuar si më të drejta, më stabile dhe ekonomikisht më të suksesshme. Thënë shkurt, trajtimi i dhunës kundër femrave nënkupton investim në të ardhmen e të gjithë qytetarëve.