English Shqip / Srpski

 
Komunikata për media

Dorëzohen kopjet e librave amzë të Kamenicës dhe Vitisë

12 gusht 2013

Sot, përfaqësuesit e EULEX-it ia dorëzuan Agjencisë së Regjistrimit Civil të Kosovës kopjet e vërtetuara të 1550 librave amzë nga Serbia.

Janë dorëzuar dosjet e plota për dy komuna, Kamenica (824 libra) dhe Vitia (726 libra), të cilat përbëhen prej kopjeve të vërtetuara të librave amzë origjinale civile dhe fetare me të dhëna për lindjet, martesat dhe vdekjet.

Këto kopje janë përgatitur dhe vërtetuar gjatë dy muajve të kaluar, si pjesë e një projekti me bazë në Nish, në të cilin përfshihen EULEX-i, Zyra e BE-së në Kosovë/PSBE, Këshilli Danez për Refugjatë si partner për zbatim, si edhe ekipet nga Kosova dhe nga Serbia.

Vlerësohet se në Serbi ndodhen gjithsej rreth 12,000 libra amzë. Procesi i vërtetimit të kopjeve të librave amzë origjinale është pjesë e marrëveshjes nga dialogu i lehtësuar nga BE-ja e arritur më 2 korrik 2011 ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit. Ky projekt është faza e parë e themelimit të një regjistri civil plotësisht të besueshëm dhe të qëndrueshëm në Kosovë, siç parashihet në udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave.

Deri më tani EULEX-i i ka dorëzuar mbi 6320 kopje të vërtetuara të librave të regjistrit civil, që i mbulojnë komunat e Prishtinës (1013), Lipjanit (848), Obiliqit (264), Fushë Kosovës (219), Gllogocit (425), Podujevës (1066), Gjilanit (935), Kamenicës (824) dhe Vitisë (726).