English Shqip / Srpski

 
Komunikata për media

Aktvendim në lidhje me kërkesën për rrëzimin e aktakuzës në rastin e MTPT-së

Prishtinë, 29 korrik 2013

Sot Gjykata Themelore e Prishtinës shqiptoi ​​Aktvendim lidhur me Kundërshtimet ndaj Provave dhe Kërkesat për Rrëzimin e Aktakuzës, që ishte paraqitur nga Mbrojtja në të ashtuquajturën lëndë të Ministrisë së Transportit, Postës dhe Telekomunikacionit (rasti i MTPT-së). Kryetarja e trupit gjykues nga EULEX, konfirmoi shumicën e akuzave të përfshira në Aktakuzë dhe vendosi të procedojë me lëndën në shqyrtim gjyqësor. Lënda ka të bëjë me sjelljen e supozuar korruptive në MTPT në periudhën nga viti 2008 deri në vitin 2010.

Gjykata gjeti prova të mjaftueshme për dyshim të mirë-bazuar së të pandehurit F.L., ish Ministër i MTPT-së, N.K., ish Shef i Prokurimit në MTPT, dhe E.Sh., ish Shefi i Kabinetit dhe Këshilltar Politik i F.L., formuan një grup të organizuar kriminal i cili kreu veprat e rënda penale të shpërdorimit të pozitës ose autoritetit zyrtar dhe marrjes së ryshfeteve. Përveç kësaj, Gjykata gjeti dyshim të mirë-bazuar se i pandehuri F.Z., pronar i Kompanisë Tali, ka kryer veprën penale të ofrimit të ryshfeteve, dhe keqpërdorimit të autorizimeve në ekonomi. Më tej, Gjykata konfirmoi akuzën e mosdeklarimit të parave të marra për fushatë, akuzë kundër F.L., sepse ajo gjeti prova të mjaftueshme se i pandehuri nuk i kishte deklaruar paratë që ai i kishte marrë si kontribut për fushatë politike për fushatën e tij zgjedhore në vitin 2007.

Padia kundër F.L. dhe N.K. për përvetësim (shpërdorim) në detyrë, dhe akuza kundër F.L., N.K., E.Sh. dhe F.Z. për veprën penale të lidhjes së kontratave të dëmshme, u rrëzuan të dyja nga Gjykata. Gjithashtu, akuzat e pastrimit të parave dhe mbajtjes së armëve në pronësi, posedim ose shfrytëzim pa leje, me të cilat ishte akuzuar F.L., u hodhën poshtë nga Gjykata. Gjykata rrëzoi në tërësi akuzat ndaj të pandehurve F.L., D.L. dhe G.Z. dhe pushoi procedurën penale kundër tyre. Të pandehurit F.L. dhe D.L. ishin akuzuar me veprat penale të krimit të organizuar dhe pastrimit të parave, i pandehuri G.Z. ishte akuzuar me veprat penale të pengimit të të provuarit dhe asgjësimit ose fshehjes së materialeve arkivore. Gjykata arriti në përfundimin se nuk ka prova të mjaftueshme për t'i mbështetur këto akuza.

Në lidhje me provat e mbledhura nga Prokuroria gjatë fazës hetimore, Gjykata gjeti disa shkelje procedurale dhe përjashtoi prova të ndryshme. Veçanërisht provat e marra gjatë kontrolleve të kryera në shtëpinë e F.L. dhe në dhomat e serverëve në Kuvendin e Kosovës më 28 prill 2010 u gjetën të papranueshme, sepse për mendimin e Gjykatës të dy kontrollet ishin të paligjshme, ngase nuk ekzistonin rrethana urgjente që do ta kishin lejuar policinë ta kryente kontrollin pa urdhër me shkrim të gjykatës dhe pa një miratim të mëpasshëm (retroaktiv) me shkrim nga gjyqtari kompetent i procedurës paraprake. Gjykata hodhi poshtë kundërshtimin e paraqitur nga Mbrojtja se mesazhet SMS të përgjuara janë të montuara dhe, për këtë arsye, të pambështetshme. Gjykata mbajti qëndrimin se mbështetshmëria dhe besueshmëria e mesazheve SMS mund të vlerësohet në mënyrë të rregullt vetëm gjatë shqyrtimit gjyqësor, e cila është pjesa (fazë) e procedurës penale ku palët lejohen të paraqesin prova për të mbështetur qëndrimin e tyre dhe Gjykata mund të vlerësojë provat shkresore të deklaruara nga Mbrojtja.

Kundër këtij Aktvendimi të Gjykatës, Prokuroria Speciale dhe Mbrojtja kanë të drejtë të parashtrojnë ankesë në Gjykatën e Apelit.