English Shqip / Srpski

 
Komunikata për media

Dorëzohen kopjet e librave amzë të Gjilanit

01 korrik 2013

Përfaqësuesit e EULEX-it ia dorëzuan Agjencisë së Regjistrimit Civil të Kosovës kopjet e vërtetuara të 935 librave amzë nga Serbia.

Është dorëzuar dosja e plotë për Komunën e Gjilanit, e cila përbëhet prej kopjeve të vërtetuara të librave amzë origjinale civile dhe fetare me të dhëna për lindjet, martesat dhe vdekjet.

Këto kopje janë përgatitur dhe vërtetuar gjatë muajit të kaluar, si pjesë e një projekti me bazë në Nish, në të cilin përfshihen EULEX-i, Zyra e BE-së në Kosovë/PSBE, Këshilli Danez për Refugjatë si partner për zbatim, si edhe ekipet nga Kosova dhe nga Serbia.

Vlerësohet se në Serbi ndodhen gjithsej rreth 12,036 libra amzë. Procesi i vërtetimit të kopjeve të librave amzë origjinale është pjesë e marrëveshjes nga dialogu i lehtësuar nga BE-ja e arritur më 2 korrik 2011 ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit. Ky projekt është faza e parë e themelimit të një regjistri civil plotësisht të besueshëm dhe të qëndrueshëm në Kosovë, siç parashihet në udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave.

Deri më tani EULEX-i i ka dorëzuar mbi 4770 kopje të vërtetuara të librave të regjistrit civil, që i mbulojnë komunat e Prishtinës (1013), Lipjanit (848), Obiliqit (264), Fushë Kosovës (219), Gllogocit (425), Podujevës (1066) dhe Gjilanit (935).