English Shqip / Srpski

 
Komunikata për media

Një ish-gjyqtar dhe një ish-avokat dënohen për korrupsion

14 qershor 2013

Sot në mëngjes, në Gjykatën Themelore të Pejës, një trup gjykues i përbërë prej dy gjyqtarëve të EULEX-it dhe një gjyqtari kosovar, dhe i kryesuar prej një gjyqtari të EULEX-it, e shpalli dënimin kundër të pandehurve K.P. dhe A.R. për veprën e keqpërdorimit të detyrës apo autorizimit zyrtar, e kryer në bashkëveprim.

Trupi gjykues vendosi se kishte dëshmi të mjaftueshme për t'u siguruar se të pandehurit kishin marrë pjesë bashkërisht në një procedurë të paligjshme në Gjykatën Komunale të Klinës në qershor të vitit 2005, e cila rezultoi me një humbje prej 71,257.40 euro të Shoqatës së Sigurimeve të Kosovës – Njësia për sigurime të detyrueshme në Prishtinë. Atë kohë K.P. ishte gjyqtar dhe A.R. avokati i Shoqatës së Sigurimeve të Kosovës.

I pandehuri K.P. më 29 janar 2013 e pranoi fajësinë dhe u dënua sot me një vit e gjashtë muaj burgim. Atij gjithashtu i është ndaluar ushtrimi i detyrave zyrtare apo ushtrimi i profesionit të juristit për tri vjet pas lirimit. I pandehuri A.R. nuk e ka pranuar fajësinë por është shpallur fajtor dhe është dënuar me një vit e gjashtë muaj burgim. Trupi gjykues i urdhëroi të dy të pandehurit që t'ia kompensojnë Shoqatës së Sigurime të Kosovës shumën prej 71,257.40 euro, dhe i shpalli ata si përgjegjës të përbashkët dhe individualë për këtë.

Rasti është ndjekur penalisht prej një prokurori kosovar nga Prokuroria Speciale e Kosovës (PSRK). Të gjitha palët kanë të drejtë ankese.