English Shqip / Srpski

 
Komunikata për media

 

EULEX-i e dënon fuqishëm sulmin me granatë dore në Leposaviq

20 mars 2013

EULEX-i e dënon fuqishëm sulmin e mbrëmshëm me granatë dore në stacionin e policisë në Leposaviq. Ky veprim i dhunshëm dëshmon qartë se një grup i caktuar njerëzish janë të gatshëm që ta rrezikojnë sigurinë e komunitetit lokal dhe ta pengojnë zbatimin e sundimit të ligjit. Këto vepra janë kërcënim i drejtpërdrejtë i paqes dhe stabilitetit, si dhe ndikojnë thellësisht në qytetarët e rëndomtë.

"Ky ishte një sulm i qartë kundër sundimit të ligjit dhe si i tillë është absolutisht i papranueshëm. Policët janë përgjegjës për sigurinë e qytetarëve të rëndomtë, prandaj sulmi me granatë dore në stacionin e policisë është sulm kundër qytetarëve. Kjo praktikë duhet të ndalet dhe kryerësit duhet të sillen para drejtësisë," tha Shefi i Misionit EULEX, Bernd Borchardt.

Task Forca e EULEX-it për Mitrovicën dhe Policia e Kosovës i kanë filluar hetimet për gjetjen e kryerësve të këtij sulmi. EULEX-i i bën thirrje kujtdo që ka informata të cilat mund të jenë të dobishme në këtë rast që të lajmërohen dhe ta kontaktojnë PK-në ose Task Forcën për Mitrovicën në numrin: 038 512 638.

Edhe një herë, EULEX-i i inkurajon të gjithë që të përmbahen nga çdo lloj dhune. Sundimi i ligjit duhet të mbizotërojë.