English Shqip / Srpski

 

EULEX-i hedh poshtë deklaratat e mediave lidhur me rastin e J.M.

28 maj 2012

EULEX-i dëshiron të hedh poshtë spekulimet e fundit nga ana e mediave për lirimin e J.M. nga paraburgimi të premten, më 25 maj 2012 të cilat kanë pretenduar se lirimi i tij është bërë pa arsyetimin e duhur.

Rasti i J.M. është marrë përsipër nga një prokuror i EULEX-it, jo për të siguruar lirimin e tij, por për të siguruar proporcionalitetin mes mohimit të lirisë së një personi dhe akuzës me të cilën përballet dhe për të siguruar një proces të drejtë. Këto të fundit kanë të bëjnë me standardet evropiane të sundimit të ligjit dhe janë çështje e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut.

Me kërkesë të prokurorit të EULEX-it gjykatësi vendor i procedurës paraprake ka urdhëruar lirimin e J.M. nga paraburgimi. Gjykatësi e ka zëvendësuar këtë masë me masën e paraqitjes në stacionin policor tre herë në jave për aq kohë sa hetimet vazhdojnë.

Prokurori i EULEX-it ka kërkuar ndryshimin e masës në fjalë pas kryerjes së veprimeve hetimore shtesë. Para se të kërkonte lirimin e tij, prokurori  ka studiuar dëshmitë me shumë kujdes, ka shqyrtuar dëshmitë e regjistruara dhe ka intervistuar dëshmitarët kyç, duke përfshirë edhe të dyshuarin. Prokurori i EULEX-it po ashtu e ka diskutuar në hollësi rastin me prokurorin vendor, i cili ka pranuar se nuk i kishte parë dëshmitë e regjistruara, para kërkesës së tij për zbatimin e masës së paraburgimit.  

J.M. nuk është duke u hetuar si pjesëmarrës i drejtpërdrejtë në çmontimin e kontejnerëve te tri kullat në Mitrovicën e veriut, por për pjesëmarrje në turmën e cila ka çmontuar kontejnerët e cekur.

Në lidhje me pretendimet për keqpërdorimin e buxhetit nga ana e J.M.,  Njësia kundër Krimit Ekonomik e Policisë së Kosovës ende nuk ka dorëzuar ndonjë raport penal në EULEX në lidhje me këto pretendime. Prokurori i EULEX-it është në pritje të një raporti të tillë. Prandaj, EULEX-i nuk mund t’i komentojë këto pretendime.