English Shqip / Srpski

 

Takimi i Bordit të Përbashkët Bashkërendues për Sundimin e Ligjit

3 prill 2012

Bordi i Përbashkët Bashkërendues për Sundimin e Ligjit (BPBSL) e mbajti sot takimin e rregullt në zyrën e BE-së në Prishtinë. Nikoqir i këtij takimi ishte Samuel Žbogar, PSBE/Shef i Zyrës së Bashkimit Evropian, i cili u bashkë-kryesua nga Xavier de Marnhac, Shef i EULEX-it dhe Hajredin Kuçi, Zëvendës Kryeministër dhe Ministër i Drejtësisë i Kosovës.

       

Pjesëmarrësit u pajtuan se janë bërë disa zhvillime të rëndësishme prej takimit të kaluar, të cilat duhet të shërbejnë si shembuj të mirë për progres gjatë muajve të ardhshëm. Ata i diskutuan hapat pozitivë në procesin e tranzicionit të QIF/NJIF dhe të dy ligjeve të rëndësishme, projekt-kodin e procedurës penale dhe projekt-ligjin për konfiskimin e pasurisë së përfituar në mënyrë të paligjshme. Po ashtu, është diskutuar për Ligjin për mbrojtjen e dëshmitarëve si dhe për kontributin e të gjitha palëve të përfshira.

Në fjalën hyrëse të tij, PSBE/Shefi i Zyrës, Samuel Žbogar tha:

“BE-ja është angazhuar me Kosovën në një numër të proceseve të rëndësishme që kanë të bëjnë me Sundimin e Ligjit, Dialogun për liberalizimin e vizave apo Studimin e fizibilitetit të shpallur javën e kaluar nga Komisionari Füle. Si i tillë, BPBSL paraqet një forum të shkëlqyeshëm për drejtimin e përbashkët të këtyre proceseve këtu në terren, për krijimin e sinergjive, për bashkërendimin e veprimeve me prioritet dhe për përcjelljen e progresit gjatë zbatimit."

Gjatë këtij takimi, Shefi i Misionit EULEX, de Marnhac theksoi:

“Ndërsa ne e dimë se është duke u bërë tranzicioni, përcaktimi i standardeve është një pjesë e rëndësishme e këtij procesi. Transferimet duhet të bazohen në standarde e jo në afate kohore. Objektivat kryesore vazhdojnë të jenë luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit, si dhe vazhdimi i dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.”

Gjatë këtij takimi, de Marnhac tha, po ashtu, se Shërbimi Korrektues i Kosovës vazhdon të ketë nevojë për përkrahje, por ai ka “treguar përmirësime dhe se në kuadër të procesit për shqyrtimin strategjik është përzgjedhur si një fushë ku mund të bëhet tranzicioni.”

Zëvendës Kryeministri dhe Ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi tha:

“I uroj mirëseardhje z. Zbogar në cilësinë e bashkë-kryesuesit të Bordit Bashkërendues për Sundimin e Ligjit duke theksuar se në muajt e kaluar ka pasur një koordinim të mirë ndërmjet institucionet vendase, EULEX-it dhe Zyrës së BE-së që ka rezultuar me mjaft zhvillime pozitive në fushën e drejtësisë, policisë dhe doganës. Me theks të veçantë potencoi rritjen e efektshmërise së punës në Agjencionin për Administrimin e Pasurisë së Konfiskuar apo të Sekuestruar i cili tashmë është tërësisht funksional dhe punon në kapacitet te plote. Po ashtu, edhe Shërbimi Korrektues i Kosovës ka progres të dukshëm në luftimin e dukurive negative, mirëpo gjithmonë duke theksuar nevojën për një bashkërendim me partnerët nga Eulexi. Po ashtu, vlerësoj lartë vizitën e fundit në Bruksel, ku u bisedua rreth fillimit të një dialogu të strukturuar për sundimin e ligjit, fillimin e transferimit të kompetencave dhe transformimin e përgjegjësive nga misioni evropian për sundimin e ligjit, EULEX, tek institucionet vendase të Republikës së Kosovës dhe nevojën që të ketë një plan konkret për ta realizuar këtë transferim që do të fillojë ketë vit.”