English Shqip / Srpski


LAJME

Raporti i Progresit për Marrëveshjen Kompakte 2014

11 Qershor 2014

PËRMBLEDHJE EKZEKUTIVE

Ky Raport i Progresit nga Kompakti (CPR) shënon një hap të rëndësishëm në zhvillimin e institucioneve të sundimit të ligjit në Kosovë që nga nënshkrimi i Kompaktit të Përbashkët në nëntor 2012. Raporti vlerëson zhvillimet e fundit, duke përfshirë sfidat e mbetura në këtë fushë.

 
 
   

Me vendimin e fundit për vazhdimin e mandatit të EULEX-it për dy vite të ardhshme, Kosova e ka theksuar mbështetjen e saj të vazhduar e të plotë për Misionin, si dhe përkushtimin e saj për forcimin e sundimit
të ligjit në Kosovë. Përderisa janë duke u ndërmarrë hapa të rëndësishëm në tranzicionin e mandatit të EULEX-it, për shembull, të gjitha institucionet e sundimit të ligjit në Kosovë do të kryesohen nga zyrtarë
kosovarë, asgjë nuk ka ndryshuar në përkushtimin e përbashkët nga Kompakti: organizimi i institucioneve të qëndrueshme, llogaridhënëse, të pavarura dhe shumë-etnike të sundimit të ligjit, të lira prej ndërhyrjeve
politike dhe të cilat u përmbahen standardeve të njohura ndërkombëtarisht dhe praktikave më të mira evropiane. Këto janë synimet që Kosova, PSBE/Zyra e BE-së dhe EULEX Kosova do të angazhohen
bashkërisht që t'i arrijmë gjatë viteve në vijim.

Gjatë periudhës së fundit, një numër i objektivave të rëndësishme janë arritur. Institucionet e Kosovës janë forcuar dhe janë bërë më të afta në adresimin e sfidave të sundimit të ligjit. Në veçanti, progresi i arritur
në zbatimin e marrëveshjeve të ndryshme brenda kornizës së dialogut të lehtësuar nga BE-ja ka ndihmuar në inkurajimin e institucioneve. Disa prej tyre janë: krijimi i Komandës së re Rajonale në Veri - e Policisë së
Kosovës, e përforcuar nga ish-policët e MUP-it të integruar në sistemin e Kosovës. Mbledhja e të hyrave doganore ka filluar në dy pikë-kalimet në veri të Kosovës dhe palët janë pajtuar për lokacionin e pikë-kalimeve
të përhershme. Një numër prej 12,391 kopjesh të certifikuara të Librave të Regjistrit Civil u janë dorëzuar autoriteteve të Kosovës, të cilat do të kontribuojnë në krijimin e një Shërbimi Civil të besueshëm në Kosovë.

Megjithatë, periudha e raportimit ishte shënuar me një ngadalësim të pjesshëm të implementimit të marrëveshjes së Kompaktit, veçanërisht lidhur me udhërrëfyesit e dakorduar për përmirësimin e kapaciteteve
të institucioneve vendase. Udhërrëfyesit kanë ngelur prapa kornizës kohore të dakorduar, kryesisht për shkak të mungesës së burimeve njerëzore dhe financiare. Bordi i Përbashkët Bashkërendues për Sundimin
e Ligjit, BPBSL e vlerëson përkushtimin e përtërirë të Qeverisë për pajisjen me burime adekuate të institucioneve përkatëse. Në mënyrë që EULEX-it t'i mundësohet që gradualisht të tërhiqet nga disa fusha të caktuara, duhet të arrihet një progres i spikatur.

Me qëllim që Paneli i dytë për Ankesa në Agjencinë Kosovare të Pronës dhe Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme (DHPGJS) për çështjet e privatizimit të jenë plotësisht funksionale, të dyja institucionet kanë
nevojë për staf shtesë. Rekrutimi i gjyqtarëve vendas shtesë dhe të stafit mbështetës është esencial për avancimin e performancës së DHPGJS. KGK-ja ka njoftuar se gjyqtarët që mungojnë do të emërohen nga
fundi i muajit qershor 2014.

Më tej, Njësia për Përcjelljen e të Burgosurve e Qendrës së Paraburgimit në Mitrovicë vazhdon të mos ketë staf të mjaftueshëm dhe pajisje adekuate. Por, me ndarjen burimeve adekuate, trajnimet specifike për
mbështetjen e përcjelljes së të burgosurve në veri të Kosovës dhe nënshkrimin e Memorandumit të Mirëkuptimit me Policinë e Kosovës për mbështetjen e përcjelljes së të burgosurve, së shpejti do të mundësojë
tejkalimin e këtyre sfidave. Shërbimi Korrektues i Kosovës e ka shprehur gadishmërinë e vet për të marrë përsipër detyrat e përcjelljes në veri.

Përderisa shqetësimi i dëshmitarëve vazhdon të jetë sfidë për Kosovën, progresi në fushën e mbrojtjes së dëshmitarëve është i dukshëm dhe Drejtoria për Mbrojtjen e Dëshmitarëve në Kosovë është duke shkuar
drejt qëndrueshmërisë së plotë funksionale. EULEX-i dhe Kosova kanë filluar të punojnë në themelimin e një sektori vendas për krimet e luftës në kuadër të PSRK-së dhe në PK-së. Planet për avancimin e performancës
së Departamentit të Mjekësisë Ligjore janë formuluar dhe miratuar. Të gjitha masat e parapara varen nga shndërrimi i këtij Departamenti në një Agjenci të Pavarur, një vendim ky për të cilin kërkohen ndryshime ligjore.

BPBSL, po ashtu, e ka miratuar një tabelë të standardeve anti-korrupsion për ta përcjellë progresin në zbatimin e politikave ekzistuese kundër korrupsionit. Ky bord e ka themeluar një grup punues për ta plotësuar
tabelën me të dhëna konkrete dhe që ta përditësojë atë rregullisht.

Po ashtu, BPBSL ka filluar diskutimin për mënyrën e adresimit të sfidave të perceptuara të ndërhyrjes politike në fushën e sundimit të ligjit. Këtu përfshihen marrja me deklaratat e papërshtatshme lidhur me procedurat gjyqësore në vijim e sipër, që e vë në pikëpyetje pavarësinë e gjyqësorit, si dhe mangësitë legjislative, mbrojtjen e pamjaftueshme të institucioneve të sundimit të ligjit ndaj ndërhyrjeve të mundshme dhe mungesën e burimeve njerëzore dhe të burimeve tjera. BPBSL ka për qëllim që të pajtohet së shpejti për një sërë masash për adresimin e kësaj çështjeje.

Iniciativat si këto, të bashkuara me udhërrëfyesit dhe prioritetet tjera të sundimit të ligjit, si Dialogu i Strukturuar i Sundimit të Ligjit, Liberalizimi i Vizave dhe vlerësimi i Raportit të Progresit, do ta formojnë shtyllën
kryesore për punën e BPBSL gjatë dy viteve të ardhshme.

PSBE/Zyra e BE-së dhe EULEX-i do të vazhdojnë t'i përkrahin institucionet kosovare për sundimin e ligjit,duke përfshirë në lidhje me Dialogun e Strukturuar për Sundimin e Ligjit, Udhërrëfyesin për Liberalizimin
e Vizave dhe Studimin e Fizibilitetit. Këto procese të rëndësishme e ankorojnë Kosovën në mënyrë të sigurt në kuadrin e politikave të Be-së për Ballkanin Perëndimor. Në veçanti, EULEX-i do ta vazhdojë tutje ekspertizën e plotë të tij gjatë mandatit të përtërirë të tij prej datës 15 qershor 2014, si dhe të punës së rëndësishme të kryer deri tani nga personeli i tij.