English Shqip / Srpski


NEWS

EULEX-i i dhuron automjete Policisë së Kosovës në veri

16 shtator 2013

Sot, EULEX-i ia dorëzoi Ministrisë së Punëve të Brendshme 22 automjete dhe pajisje për zyrë si donacion për 'Drejtorinë e sapoformuar të Policisë Rajonale (Veri)'. Ceremonia e dhënies së donacionit është mbajtur në stacionin e Policisë së Kosovës në pjesën veriore të Mitrovicës dhe në të ishin të pranishëm Bernd Borchardt, Shef i Misionit EULEX, Shpend Maxhuni, Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Nenad Ðurić, u.d. Komandant Rajonal.

VIDEO    
Download Video (16:9 MP4 Broadcast Resolution)


Shefi i Misionit EULEX, Bernd Borchardt tha:

"Jam i lumtur që po ia dorëzoj çelësat e këtyre automjeteve Policisë së Kosovës sot. Kjo është shenjë edhe për zvogëlimin e EULEX-it por edhe për rritjen e Policisë së Kosovës. Tani, 23 këshilltarë të EULEX-it janë duke punuar në mbështetjen e Ekipit të sapoformuar të Komandës Rajonale (Veri) dhe unë kam besim të plotë që ata do të punojnë së bashku për ta themeluar një shërbim të fuqishëm dhe përgjegjës policor për komunitetin lokal këtu në veri të Kosovës."

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni e falënderoi EULEX-in duke thënë që ky donacion do të kontribuoj në mënyrë të konsiderueshme për përmirësimin e efikasitetit të punës së Policisë së Kosovës në veri.

"Shfrytëzoj rastin të falënderoj EULEX-in për mbështetjen e vazhdueshme që është duke i dhënë Policisë së Kosovës, dhe ky donacion do të jetë një ndihmë e madhe e cila do të kontribuoj ne ngritjen e efektivitetit dhe efikasitetit të Drejtorisë Rajonale të Policisë në veri të Mitrovicës. Duke shfrytëzuar në mënyrë proaktive këto vetura të dhuruara nga EULEX-i, Policia e Kosovës do të shtoj performancën duke ofruar shërbime policore më kualitative karshi qytetarëve të pjesës veriore", tha Maxhuni.


 
 

Ushtruesi i detyrës së Komandantit Regjional falënderoi EULEX-in për donacionin.

"Veturat e dhuruara do të përdoren për të përmirësuar sundimin e ligjit dhe efikasitetin tonë në veri, gjë e cila do të rezultojë në siguri dhe rend për të gjithë qytetarët që jetojnë në veri. Qëllimi ynë kryesor është përmirësimi i sigurisë për të gjithë qytetarët, dhe në të ardhmen ne do të përpiqemi ta sjellim atë në nivelin më të lartë," tha Djuric.

Po ashtu, në këtë ceremoni të dhënies së donacionit kanë marrë pjesë edhe zyrtarë tjerë të EULEX-it dhe të Policisë së Kosovës, si dhe përfaqësues të mediave.

Në fillim të muajit gusht, EULEX-i ka dërguar këshilltarët shtesë me përvojë nga Prishtina në Mitrovicë, në mënyrë që ta mbështesin Ekipin e Komandës Rajonale të Policisë së Kosovës në veri dhe në veçanti u.d. Komandant Rajonal, Nenad Djuric. Ata do ta plotësojnë mbështetjen e Monitorimit, Mentorimit dhe Këshillimit (MMK) e cila po vazhdon për Policinë e Kosovës në veri dhe do të sigurojnë që misioni ofron një qasje të qëndrueshme dhe 'të përbashkët' Monitorimi, Mentorimi dhe Këshillimi, në të gjitha nivelet në kuadër të strukturës komanduese të Policisë Kosovës.