|
|
12 prill 2012
Në takimin e dytë të Këshillit Kombëtar Anti-Korrupsion, të mbajtur më 12 prill, Zëvendësshefi i misionit EULEX Andy Sparkes mbajti një fjalim në këtë këshill lidhur luftën kundër korrupsionit në Kosovë. Këshilli Kombëtar Anti-Korrupsion është themeluar nga Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, me qëllim të rritjes së bashkëpunimit dhe të bashkërendimit ndërmjet institucioneve të Kosovës të cilat janë në ballë të luftës kundër korrupsionit.
Në fjalimin e tij Andy Sparkes e përgëzoi Kryetaren për themelimin e këtij këshilli dhe e lavdëroi atë për rolin e saj si lidere në luftën kundër korrupsionit.
“Zonja Presidente, unë e di se ju jeni përkushtuar për çrrënjosjen e korrupsionit dhe jeni shembull, jeni admiruese e rendit dhe ligjit dhe profesioniste me një integritet të njohur...tashmë kjo paraqet një informacion të shkëlqyer që i shërben luftimit të korrupsionit në Kosovë. Unë ju garantoj se EULEX-i do të ju ndihmojë në këtë luftë.”
Andy Sparkes ka kritikuar për gjendjen e korrupsionit në Kosovë dhe ka përsëritur fjalët e Ambasadorit të SHBA-ve Christopher Dell të thëna në fillim të muajit prill, se korrupsioni është rrënjosur thellë nëpër shumë pjesë të shoqërisë kosovare. Ai po ashtu foli edhe për rolin e EULEX-it në luftën kundër korrupsionit dhe për rezultatet e arritura.
“Ne nuk jemi të përkryer, kemi bërë gabime… në kuadër të kapacitetit ekzekutiv EULEX-i është duke i zhvilluar më shumë se 90 hetime për korrupsion dhe krim të organizuar dhe ka shpallur vendimet gjyqësore për 46 raste të tjera. EULEX-i gjithashtu është duke e luftuar korrupsionin përmes ekipeve hetimore të përbashkëta me prokurorët dhe Policinë e Kosovës. Në mesin e rasteve të konstatimit të fajësisë nga PSRK-ja, e cila udhëhiqet nga Kryeprokurori i EULEX-it, kemi të bëjmë me një kryetar komune, një këshilltar politik, drejtorë të bankave, udhëheqës të bizneseve, gjykatës, policë dhe shërbyes të lartë civil.”
Në fund të fjalimit të tij Andy Sparkes deklaroi se EULEX-i do të intensifikojë iniciativat e veta për sensibilizimin e publikut për korrupsionin dhe luftën kundër tij. EULEX-i do të shpërndajë fanella me numrin e linjës telefonike për raportim në Agjencinë Anti-Korrupsion dhe do të përgatis dhe emetojë spote televizive kundër korrupsionit. Gjykatësit, prokurorët dhe hetuesit e EULEX-it janë duke i vizituar shkollat në gjithë Kosovën me qëllim të angazhimit të të rinjve në luftën kundër korrupsionit. EULEX-i është duke përgatitur edhe mini-serialin “Drejtësia në një minutë” për të shpjeguar se si funksionon sistemi i drejtësisë.
Aktualisht ky program është duke u emetuar në RTK.