|
|
7 shkurt 2012
Në fund të janarit, policia e EULEX-it i dorëzoi tri raporte lidhur me përparimin e Policisë së Kosovës (PK) në tri fusha specifike. Këto fusha janë: zbatimi i bazës së të dhënave lidhur me krimet (për t’i identifikuar dhe regjistruar rastet e krimeve të motivuara etnikisht), reformimi i Drejtorisë për Inteligjencë dhe Analizë dhe përmirësimi i administrimit të buxhetit.
![]() |
![]() |
Raportet nxjerrin përfundim që PK-ja ka arritur përparim të konsiderueshëm në të tri këto fusha dhe që ndihma e EULEX-it nuk nevojitet më. Ekspertët e policisë së EULEX-it kanë ofruar mbështetje të konsiderueshme për arritjen e këtyre objektivave.
Qasja e EULEX-it për mbështetjen e PK-së
Francis Harris, Menaxher i Programit për EULEX-in është duke e ndihmuar bashkërendimin e asistencës për PK-në. Ai sqaroi se ndihma e EULEX-it për PK-në në pjesën më të madhe është e drejtuar në nivelin e menaxhimit .
“Sipas një rishikimi gjithëpërfshirës, të cilin e kemi kryer më 2009, kemi ardhur në përfundim se aftësitë operative të Policisë së Kosovës janë në përgjithësi të mira, ndërsa u identifikuan disa dobësi në aftësitë e menaxhimit, sidomos në nivelin e lartë. Këto gjetje qartazi e pasqyronin nivelin e zhvillimi të PK-së në atë kohë, kur PK-ja sapo kishte filluar të funksionojë e pavarur, pa mbikëqyrjen e UNMIK-ut”, sqaron Francis Harris.
Duke u bazuar në këtë analizë të vitit 2009, EULEX-i vendosi t’i ndihmojë PK-së duke i ofruar këshilla dhe ekspertizë për menaxhim për të ndihmuar në krijimin e një organizate policore profesionale. Ekspertët e policisë së EULEX-it u emëruan si homologë të kolegëve të tyre të PK-së në pozita të larta drejtuese, për të vepruar si mentorë. Planet e veprimit u identifikuan së bashku për ta bërë PK-në organizatë profesionale dhe për ta ngritur atë në standarde evropiane. Faza e zbatimit të secilit prej këtyre planeve të veprimit mbikëqyret nga afër nga EULEX-i në mënyrë që të shikohet nëse vërtetë po arrihet përparim.
Puna policore mbi bazën e inteligjencës
Dy prej planeve të veprimit të cilat i ka zbatuar PK-ja kanë të bëjnë me punën policore të bazuar në inteligjencë, një model i punës policore që është paraqitur viteve të fundit si koncept kryesor për organizatat policore në mbarë botën. Është model i punës policore në të cilin inteligjenca shërben si udhërrëfyes për operacionet, ashtu që policia ka qasje më të planifikuar për kontrollimin e krimit. Kjo qasje kërkon regjistrim të duhur të dhënave për krimet dhe një aftësi analitike për t’i identifikuar tendencat e krimit dhe për t’i përqendruar resurset në fushat që kanë përparësi.
Francis Harris sqaron se puna policore me pakicat është njëra prej fushave ku ky model ka ndikim shumë të madh. “Kur kemi filluar punën, sistemi për regjistrimin dhe identifikimin e krimeve të motivuara etnikisht ishte shumë i dobët. Nëse dëshironi ta zhvilloni një organizatë policore që kujdeset për pakicat, për të cilën gjë PK-ja është e përkushtuar, është shumë e rëndësishme që këto fakte të jenë të qarta. Duhet ta dini sa krime të motivuara etnikisht ndodhin dhe ku ndodhin ato më së shumti në mënyrë që t’i luftoni ato”, thotë Francis Harris.
Me ndihmën e EULEX-it, PK-ja i ka rishikuar procedurat e saj për regjistrimin e krimeve prej vitit 2010, në mënyrë që ta bëjë atë më të besueshme dhe më të përshtatshme për analizimin e të dhënave për pakicat etnike. Sistemi i ri është zbatuar më 2011 dhe është monitoruar për shumë muaj nga policia e EULEX-it. Në raportin e paradokohshëm të EULEX-it nxirret përfundimi se PK-ja tani ka aftësi t’i mbledhë, sistemojë dhe analizojë si duhet të dhënat lidhur me krimet që përfshijnë viktima të pakicës etnike.
Plani i dytë i veprimit që tani është përfunduar nga PK-ja kishte të bënte me zhvillimin e strukturës organizative dhe të kapacitetit njerëzor për kryerjen e analizës së krimeve. Në një projekt prej më shumë se dy viteve, EULEX-i i ka ndihmuar Drejtorisë për Inteligjencë dhe Analizë si qendër kryesore e sistemit të inteligjencës së PK-së për çështje kriminale.
Administrimi i buxhetit
Plani i fundit i veprimit i PK-së në të cilin ka ndihmuar EULEX-i është përmirësimi i administrimit të buxhetit, një program i krijuar për përmirësimin e administrimit të buxhetit dhe të financave të organizatës së PK-së. Administrimi i buxhetit mund të duket që nuk ka të bëjë shumë me punën policore, por është përbërës kryesor në krijimin e një organizate të qëndrueshme dhe profesionale, sqaron Francis Harris. “Policia e Kosovës është vazhdimisht shumë pak e financuar në disa fusha, sidomos në rajone. Kjo ndikon drejtpërdrejt në mënyrën e ofrimit të shërbimeve policore për komunitetet lokale. Njëri prej qëllimeve të këtij plani të veprimit ishte mbështetja e strategjisë afatgjate të buxhetit që e rritë përgjegjësinë, ndërsa e përmirëson ofrimin me kohë të mallrave dhe të shërbimeve”, thotë Harris.
Raporti i EULEX-it i janarit 2012 e vlerëson përparimin e rëndësishëm që është arritur në këtë aspekt. Përmes këtij veprimi MMK, PK-ja e ka përmirësuar administrimin e buxhetit dhe të financave brenda organizatës, si dhe ka zhvilluar një strategji afatgjatë, projekte shumëvjeçare dhe një rishikim të plotë të dobive të decentralizimit.