EULEX-i i mirëpret dy prokurorë të lartë
31 janar 2012
Filluan punën dy prokurorët e ri të lartë në EULEX. Jaroslava Novotna, nga Republika e Çekisë, e ka marrë detyrën e Kryeprokurores së re të misionit, duke drejtuar kështu një ekip prej njëzet e gjashtë prokurorësh. Signe Justesen, nga Danimarka, do të jetë në krye të Prokurorisë Speciale të Kosovës (PSRK). Që të dyja kanë një përvojë të madhe të punës në fushën e sundimit të ligjit.
 |
 |
| Signe Justesen, Kryeprokurore e Prokurorisë Speciale |
|
| Jaroslava Novotna, Kryeprokurorja e re e EULEX-it |
|
Novotna ka punuar si prokurore për më shumë se tridhjetë vite, kurse së fundi kishte punuar në Prokurorinë Supreme të Republikës së Çekisë. Ajo ka një përvojë të specializuar në trajtimin e rasteve të ndërlidhura me trafikimin e drogës dhe krimin e organizuar. Po ashtu, ajo është e specializuar në bashkëpunimin ligjor për çështjet penale. Novotna është shumë e vetëdijshme për sfidat që e presin.
“Unë e vlerësoj punën që është bërë deri tash dhe mezi pres ta filloj punën në detyrën e re. Gëzohem që më është dhënë mundësia që të provoj të sjellë ndryshime, mirëpo assesi nuk do t’i nënçmoj sfidat që me presin’, tha Jaroslava Novotna në ditën e saj të parë në detyrë.
Signe Justesen, Kryeprokurorja e re e Prokurorisë Speciale, ka afër tridhjetë vite përvojë në fushën e sundimit të ligjit në Danimarkë. Justesen ka punuar dhjetë vite si Shefe policie duke qenë përgjegjëse për udhëheqjen e ekipeve të përbashkëta të prokurorëve dhe policëve. Ajo ka përvojë paraprake në Kosovë, ku ka punuar si këshilltare në Këshillin Prokurorial të Kosovës (KPK). Ajo e pret punën e saj të re me ngazëllim, sidomos kombinimin e pjesës ekzekutive të punës me menaxhim, po ashtu, edhe bashkëpunimin me kolegët vendas dhe hetuesit e policisë. Në javën e parë të punës së saj, ajo i paralajmëroi njerëzit në lidhje me pritjet e mëdha që janë investuar në PSRK.
“Unë jam shumë e vetëdijshme për shpresën që e kanë njerëzit në PSRK, si një institucion, i cili e lufton krimin e nivelit të lartë. Ky përbën një motivim për mua dhe për ekipin tim. Mirëpo, kjo gjë e ka edhe anën e kundërt. Njerëzit nganjëherë zhgënjehen ngase nuk po arrihen rezultate. Atyre dëshiroj t’u them: Na duhet përkrahja juaj e vazhdueshme. Sundimi i ligjit merr kohë për t’u jetësuar, mirëpo, çdo ditë po shënohet përparim dhe ne po punojmë shumë për këtë. Tani më janë shqiptuar më shumë se 200 aktgjykime ndërsa EULEX-i tani është kyçur në tërësi në hetimin e më shumë se 350 rasteve penale,” tha Justesen.