LAJME

Bashkëpunimi i EULEX-it nëpër botë

30 janar 2012

Më 20 janar 2012, Gjykata e Qarkut në Stokholm (Suedi) e dënoi Miliq Martinoviqin me burgim të përjetshëm për krime lufte . Aktgjykimi ka qenë pjesërisht i bazuar në informatat dhe deklaratat e dëshmitarëve të marra në bashkëpunim me gjykatësit dhe prokurorët e EULEX-it në Kosovë, të cilët po i bënin hetimet e tyre për këtë rast. EULEX-i ka ndihmuar në këtë rast me kërkesën e prokurorit suedez.

 

Martinoviq u shpall fajtor për akuzat që kanë të bëjnë me krime kundër njerëzimit, trajtim çnjerëzor, vrasje, tentim vrasje, rrëmbim, plaçkitje dhe zjarrvënie të qëllimshme kundër civilëve. Vendimi i gjykatës përfshin edhe dhënien e kompensimit disa viktimave në shumën totale prej 1.600.000 SEK (180.000 EUR). Krimet kanë ndodhur në fshatin Qyshk të Kosovës më 14 maj 1999. I pandehuri ka të drejtë në ankesë.

Ky është vetëm një prej rasteve ku prokurorët dhe hetuesit e policisë së EULEX-it, në kuadër të mandatit ekzekutiv të tyre, të mbështetur nga Ministria e Drejtësisë, bashkëpunojnë me autoritetet ligjore kudo në botë. Më 6 janar të këtij viti, një qytetar i Pejës është ekstraduar nga Shqipëria për në Shtetet e Bashkuara me akuzën për kontrabandim të emigrantëve. Prokurorët e EULEX-it u kanë ofruar autoriteteve të SHBA-ve informata të rëndësishme të nevojshme për këtë rast. Në lidhje me këtë rast, prokurorët dhe ekipet hetimore të EULEX-it kanë qenë duke e hetuar një grup të organizuar individësh në Kosovë, i cili ishte i përfshirë në krim të organizuar dhe kontrabandë me emigrantë nga Kosova për në shtetet e Evropës. Më 26 janar të këtij viti, gjykatësi i EULEX-it i procedurës paraprake e ka konfirmuar aktakuzën kundër tetë personave që dyshohet se janë përfshirë në kontrabandën me emigrantë.

Sipas Signe Justesen, Kryeprokurore e re e Prokurorisë Speciale të Kosovës (PSRK) e emëruar nga EULEX-i, bashkëpunimi ligjor ndërkombëtar është mekanizëm i rëndësishëm për t’i ndjekur penalisht dhe në mënyrë efektive krimet në një botë ku krimi nuk njeh kufij.

“ Imigrimi i kundërligjshëm, rrjetet ndërkombëtare kriminale dhe të kontrabandës janë dukuri ndër-kufitare që kërkon nga prokurorët e gjithë botës të punojnë bashkërisht. Ndonëse nga përbërja e PSRK-së, me prokurorë nga vende të ndryshme të botës që punojnë bashkë me kolegët nga Kosova, EULEX-i është në pozitë të mirë që ta shfrytëzojë ndihmën ndërkombëtare në dispozicion për ta luftuar me sukses krimin e organizuar ndërkombëtar”, tha Signe Justesen.

Bashkëpunimi gjyqësor ka funksionuar edhe anasjelltas. Në dy dënimet e fundit nga gjykatësit e EULEX-it lidhur me kontrabandën ndërkombëtare të drogës (27 maj 2011; 3 nëntor 2011), informatat janë siguruar nga prokurorët në Zvicër dhe nga vendet tjera. Gjithashtu, edhe gjykimi për rastin Medicus është një shembull tjetër i rolit të rëndësishëm të bashkëpunimit ligjor ndërkombëtar të mirë.