LAJME

Identifikimi i prioriteteve të sundimit të ligjit për Kosovën në 2012

21 nëntor 2011

Është mbajtur një takim i posaçëm i Bordit të Përbashkët Bashkërendues për Sundimin e Ligjit (BPBSL) me qëllim që të bëhet identifikimi i prioriteteve në fushën e sundimit të ligjit për vitin 2012.

Mbledhja e Bordit të Përbashkët Bashkërendues për Sundimin e Ligjit

I bashkë kryesuar nga Shefi i EULEX-it, Xavier de Marnhac, Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Drejtësisë Hajredin Kuçi dhe nga ushtruesi i detyrës së Shefit të Zyrës Ndërlidhëse të Komisionit Evropian (ZNKE) në Kosovë Khaldoun Sinno, ky takim i BPBSL u përqendrua në caktimin e prioriteteve lidhur me disa nisma që do të shërbejnë si udhërrëfyes për përpjekjet e vitit të ardhshëm me qëllim që të arrihet përparim në fushën e sundimit të ligjit.

Në mesin e prioriteteve të diskutuara ishin: Ligji mbi konfiskimin e pasurisë së fituar në mënyrë të paligjshme, Ligji mbi përgjimet, ndryshimi i Kodit Penal dhe i Kodit të Procedurës Penale, zbatimi i Menaxhimit të Integruar të Kufijve, pastrimi i parave, marrja me rastet e pazgjidhura në sektorin e drejtësisë si dhe forcimi i bashkërendimit ndërmjet policisë dhe gjyqësorit.

Shefi i EULEX-it, Xavier de Marnhac, tha që shumë prej këtyre temave tashmë janë identifikuar në Raportin e Progresit të Komisionit Evropian për Kosovën.

“BPBSL është forumi kryesor i nivelit të lartë që duhet të arrijë pajtim të përbashkët lidhur me prioritetet e përbashkëta në sektorin e sundimit të ligjit duke u përqendruar posaçërisht në fushat që i kontribuojnë Raportit të Progresit të Komisionit Evropian për Kosovën”, tha de Marnhac, duke shtuar se “gjatë dy viteve të kaluara Qeveria, Komisioni Evropian dhe EULEX-i kanë krijuar bashkëpunim të afërt përmes këtij forumi”.

Në fjalën e tij hyrëse, Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi tha se Qeveria e Kosovës është e përkushtuar për të arritur përparim në sundimin e ligjit.

“Sundimi i ligjit mbetet njëri nga prioritetet në agjendën e qeverisë; prandaj, ky është një takim shumë i rëndësishëm. Sundimi i ligjit është parakusht për funksionim normal të një shoqërie dhe të një vendi. Është dhe do të mbetet një vlerë e lartë e shoqërive bashkëkohore. Ne mbetemi shumë të përkushtuar që ta çojmë përpara agjendën tonë qeveritare për t’i realizuar qëllimet tona të përbashkëta në këtë fushë shumë të rëndësishme”, tha Kryeministri Hashim Thaçi.

Ushtruesi i detyrës së Shefit të ZNKE Khaldoun Sinno tha se Komisioni Evropian i ka kushtuar vëmendje të madhe sundimit të ligjit dhe kjo pasqyrohet po ashtu edhe në raportet e tij të progresit.

“Forcimi i sundimit të ligjit është identifikuar si sfidë e vazhdueshme e madhe dhe si kusht kryesor për vendet që lëvizin më afër anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Këtyre çështjeve iu është kushtuar vëmendje më e madhe viteve të fundit në të gjitha shtetet që janë në procesin e përafrimit, në harmoni me konsensusin e ri për zgjerim”, tha Khaldoun Sinno, ushtrues i detyrës së Shefit të ZNKE.

Ky ishte takimi i fundit i BPBSL për vitin 2011.