|
|
17 nëntor 2011
Shefit i EULEX-it, Xavier de Marnhac ka vizituar komunën dhe stacionin e policisë në Shtërpcë si pjesë e vizitave të tij të vazhdueshme nëpër Kosovë.
Ai u takua me Dragan Ivanoviç, komandantin e stacionit të policisë, i cili e informoi atë lidhur me gjendjen aktuale dhe me punën e përditshme të policisë në këtë rajon me përbërje etnike të përzier. Ivanoviç tha se nuk kishte probleme të mëdha të krimit aktualisht, ishte siguruar liria e lëvizjes dhe nuk kishte ndonjë problem të madh ndëretnik tani.
“Stacioni policor i Shtërpcës ishte stacioni i parë shumetnik i policisë në Kosovë dhe ne jemi shembull se si gjërat mund të funksionojnë pa ndonjë problem të madh”, tha Ivanoviç.
Xavier de Marnhac shprehu mbështetjen e tij të plotë për punën dhe përpjekjet e tyre. “Aktualisht e gjithë vëmendja është përqendruar në veri por duhet ta kemi parasysh se pjesët e tjera të Kosovës janë po ashtu shumë të rëndësishme dhe kanë nevojë për mbështetjen dhe ndihmën tonë të plotë “, tha shefi i misionit EULEX.
Vizita vazhdoi me një takim në komunë me Lela Petkoviç (zëvendëskryetare), Dalibor Jevtiç, (shef i kabinetit të kryetarit) dhe me Beqir Fejzullahun (shef i zyrës për komunitete). Zyrtarët komunalë e informuan de Marnhac lidhur me punën dhe prioritetet e tyre aktuale. “Njëri prej planeve tona të rëndësishme për të ardhmen është ndërtimi i qendrës së dytë të skijimit në Brezovicë”, tha Lela Petkoviç. Ajo sqaroi si ky projekt do ta ndihmojë rajonin, do ta rrisë turizmin dhe do ta përmirësojë ekonominë lokale.