|
|
04 nëntor 2011
Qendra korrektuese në Dubravë është burgu më i madh në Kosovë me përafërsisht 800 të burgosur. Zëvendëskryeministri dhe ministri i drejtësisë, Prof. Dr. Hajredin Kuçi, dhe shefi i Komponentit të Drejtësisë të EULEX-it, Silvio Bonfigli, e vizituan qendrën korrektuese të martën më 1 nëntor për t’u takuar me drejtorin e burgut dhe për ta inspektuar punën që është duke u bërë atje.
EULEX-i ka një ekip të specialistëve për ta mbikëqyrur dhe ndihmuar personelin e qendrës korrektuese të Dubravës.
EULEX-i i ofron Shërbimit Korrektues të Kosovës ndihmë teknike dhe ekspertizë, ata japin ndihmë në reformat e burgjeve, në riintegrimin e pakicave dhe të të burgosurve, në transportimin e të burgosurve dhe në sigurinë e qendrave korrektuese dhe të atyre të ndalimit.
Në Qendrën Korrektuese në Dubravë janë bërë investime të vazhdueshme për renovimin e objekteve ekzistuese dhe po ashtu për zhvillimin e kapaciteteve të reja.
Qeveria e Kosovës për shembull investon në këtë qendër korrektuese duke instaluar kamera të reja të sigurisë. Së fundi, qeveria po ashtu ka investuar në ndërtimin e një thertoreje dhe të një ferme për bagëti. Këtë vit është inauguruar objekti i ri për “dëshmitarët e dënuar bashkëpunues”.
Burgu ka katër qendra për aftësim profesional. Ekziston shkolla fillore dhe ajo e mesme. Po ashtu ka edhe spital për trajtimin e të burgosurve.
Ministria e Kulturës organizon aktivitete kulturore dhe sportive. Aty ka sallë për gjimnastikë dhe sallë sportive, stadiume të jashtme për futboll dhe një sallë për ngjarje kulturore.
Ministri i drejtësisë dhe shefi i drejtësisë i EULEX-it shprehën kënaqësinë e tyre për punën që është duke u bërë:
Ministri Hajredin Kuçi tha:
“Unë bëra një vizitë së bashku me shefin e Komponentit të Drejtësisë të EULEX-it, si edhe me personelin drejtues të qendrës korrektuese. Unë vazhdoj të bashkëpunojë ngushtë me personelin e EULEX-it për t’i ndërtuar kapacitetet tona, për ta rritur transparencën ndaj qytetarëve tanë dhe çka është më e rëndësishmja janë bërë përparime të dukshme që nga vizita ime e fundit.”
Silvio Bonfigli shtoi:
“Ende kemi shumë sfida para nesh, megjithatë shumë gjëra janë bërë. Gjërat po ecin përpara. Nga ana jonë dua ta rikonfirmojë përkushtimin tonë, përkushtimin tonë të përbashkët me ministrinë e drejtësisë. Jam i sigurt që duke punuar së bashku çdo ditë gjërat do të përmirësohen edhe më tepër”
EULEX-i vazhdon të punojë së bashku me Shërbimin Korrektues të Kosovës që t’i sjellë institucionet e sundimit të ligjit në harmoni me standardet evropiane.
| Photos: | |||