LAJME

Më shumë njëtrajtshmëri në praktikën e shqiptimit të dënimeve në Kosovë

10 tetor, 2011

“Pas leximit të shumë aktgjykimeve dhe studimit të dënimeve, shumë nga ne kemi arritur në përfundimin se duhet të kemi një diskutim dhe njëtrajtshmëri të mendimeve mbi temën e shqiptimit të dënimeve. Kjo gjë na shtyri që të nisim seminarin e sotëm” u tha Charles L. Smith III, Nënkryetar i Asamblesë së Gjykatësve të EULEX-it, një grupi të gjykatësve kosovarë dhe të EULEX-it gjatë një seminari mbi Shqiptimin e Dënimeve në Kosovë, i cili u mbajt më 26 shtator dhe u organizua bashkërisht nga Instituti Gjyqësor i Kosovës (IGJK), komponenti i drejtësisë dhe zyra për praktikat më të mira dhe trajnime në kuadër të EULEX-it.

“Në Gjykatën Supreme, kemi vërejtur shumë mospërputhje dhe dallime në praktikat dhe procedurat e shqiptimit të dënimeve në mesin e gjykatësve kosovarë dhe atyre të EULEX-it dhe këto dallime ndodhin pavarësisht faktit se kush është pjesë e trupit gjykues.” Seminari i përbashkët IGJK – EULEX është vetëm një hap në përpjekjet për të arritur siguri dhe njëtrajtshmëri në shqiptimin e dënimeve dhe për t’i zvogëluar mospërputhjet e paarsyeshme në shqiptimin e dënimeve.

Shqiptimi i dënimeve nuk paraqet një shqetësim që është i pranishëm vetëm në Kosovë. Përkundrazi, në shumë shtete po bëhen debate të vrullshme lidhur me mënyrën e drejtë të përcaktimit të dënimit. Këto debate ishin temë diskutimi gjatë prezantimeve të mbajtura mbi praktikat e dënimeve në shtetet tjera – Gjykatësi Dean Pineles prezantoi praktikën e tanishme në SHBA dhe debatet që po vazhdojnë atje, Gjykatësi Vitor Pardal bëri të njëjtën gjë sa i përket praktikës se ndjekur në Portugali, ndërsa Gjykatësi Gianfranco Gallo prezantoi rastin e Italisë. Si për koincidencë, vetëm një ditë para seminarit, gazeta New York Times, në ballinën e saj e botoi një kronikë e cila paraqiste debatin energjik mbi shqiptimin e dënimeve në SHBA.

Debate të tilla do të vazhdojnë, si në Kosovë ashtu edhe gjetiu. Siç thotë Gjykatësi Smith: “…askush nuk i ka të gjitha përgjigjet e duhura kur bie puna për të vendosur për dënimin e duhur…mirëpo duke i dëgjuar dhe diskutuar problemet së bashku, në mund të përpiqemi të kalojmë nëpër procesin e njëjtë të menduarit kur vendosim në lidhje me ndonjë vendim dhe të bëhemi me konsekuent.”

Seminari u hap bashkërisht nga z. Lavdim Krasniqi, Drejtor i Institutit Gjyqësor të Kosovës dhe Charles L. Smith III, Nënkryetar i Asamblesë së Gjykatësve të EULEX-it. Kjo ngjarje ishte një mundësi e shkëlqyer për gjykatësit kosovarë dhe ata të EULEX-it që ti shkëmbejnë idetë e tyre me shumë folës të shquar, në mesin e të cilëve ishin edhe znj. Emine Mustafa, e cila në mungesë të Kryetarit Hasani shërben si ushtruese e detyrës së Kryetarit të Gjykatës Supreme; znj. Nesrin Lushta, Gjykatëse në Gjykatën Supreme; znj. Metije Ademi, Drejtoreshë e Përgjithshme në Shërbimin Sprovues, si dhe shumë të tjerë.

Diskutimet kishin të bëjnë me disa çështje : çfarë ndodh me personat e dënuar kur ata/ato janë në burg? Cilat janë mundësitë që gjykatësit i kanë në dispozicion gjatë shqiptimit të dënimeve në Kosovë? Cilat janë masat alternative që gjykatësit mund ti përdorin? Si mbikëqyren personat që janë në sprovë apo të liruar me kusht? Si reagon pala mbrojtëse ndaj praktikave të shqiptimit të dënimeve?

Të gjithë pjesëmarrësit e konsideruan këtë seminar si një pikënisje të mirë në përpjekjet e përbashkëta për të sjellë më shume njëtrajtshmëri në praktikat e shqiptimit të dënimeve në Kosovë. Më në fund, organizimi i këtij seminar ndërmjet IGJK-së dhe EULEX-it si dhe pjesëmarrja e gjykatësve kosovarë dhe atyre të EULEX-it u cilësua të jetë një forum i shkëlqyeshëm për diskutime në të ardhmen mbi çështje që janë me interes të përbashkët në fushën e drejtësisë.