|
|
11 gusht 2011
Shefi i EULEX-it, Xavier de Marnhac, PSBE Fernando Gentilini dhe ushtruesi i detyrës së shefit të Zyrës Ndërlidhëse të BE-së Khaldoun Sinno u takuan me Ministrin e Punëve të Jashtme të Gjermanisë Guido Westerwelle për të diskutuar për aktivitetet e BE-së në Kosovë.
“I jam mirënjohës Ministrit Westerwelle për përkrahjen e tij personale për EULEX-in dhe për punën e këtij misioni për forcimin e sundimit të ligjit në gjithë Kosovën”, tha de Marnhac pas këtij takimi.
“Ne e diskutuam punën e EULEX-it pas zhvillimeve të fundit në pjesën veriore të Kosovës. Unë e informova ministrin për punën tonë të përditshme me institucionet e Kosovës për një sistem të drejtësisë në Kosovë që ndanë drejtësi për të gjithë qytetarët në Kosovë”, shtoi ai.
Ministri Westerwelle e vazhdoi vizitën e tij në Portën 1 ku u njoftua nga Shefi i EULEX-it, Xavier de Marnhac, bashkë me komandantin e KFOR-it Erhard Buehler lidhur me situatën e tanishme dhe për aktivitetet e KFOR-it dhe EULEX-it në përpjekje për t’i ulur tensionet dhe për forcimin e sundimit të ligjit në pjesën veriore të Kosovës.
“Unë pata rastin ta njoftoj Ministrin lidhur me aktivitetet tona në këtë portë në pjesën veriore të Kosovës. Ne jemi duke punuar bashkë me KFOR-in për t’i ulur tensionet dhe për gjetjen e zgjidhjes. Ne i kemi shtuar patrullat tona policore për të ofruar siguri për të gjithë qytetarët. Ne i kemi filluar hetimet për djegien e portës, për vrasjen e një pjesëtari të Policisë së Kosovës dhe për veprat tjera penale të dy javëve të kaluara. Ky është prioriteti për EULEX-in. Dhuna është e papranueshme dhe ne po punojmë që kryerësit t’i sjellim para drejtësisë”, tha de Marnhac.
Ministri Westerwelle e falënderoi EULEX-in dhe KFOR-in për punën vigjilente të tyre për parandalimin e përkeqësimit të mëtejmë të situatës.