LAJME

'Dialogu është mënyra për të ecur përpara' – de Marnhac

30 korrik 2011

EULEX-i dhe Qeveria e Kosovës kanë ripohuar përkushtimin e tyre për të punuar së bashku drejt përmirësimit të sundimit të ligjit në Kosovë. Në një konferencë të përbashkët për shtyp të mbajtur në ndërtesën e Qeverisë, shefi i misionit, Xavier de Marnhac dhe kryeministri, Hashim Thaçi, folën për shqetësimet e tyre lidhur me gjendjen në veri të Kosovës.

“Civilë të pafajshëm, KFOR-i dhe EULEX-i janë sulmuar (në veri) gjatë disa ditëve të kaluara dhe thjeshtë kjo nuk është e pranueshme. Nuk do të tolerohet asnjë formë e dhunës dhe e kërcënimit,” tha Xavier de Marnhac, duke konfirmuar që EULEX-i do të punojë së bashku me KFOR-in për ta kthyer lirinë e lëvizjes.

“Ne kemi pozicionuar një numër të madh të patrullave policore në Mitrovicë për ta garantuar sigurinë personale për të gjithë banorët, në veçanti në zonat shumetnike. Sapo është njoftuar për tragjedinë e vrasjes së një zyrtari të Policisë së Kosovës më 26 korrik, EULEX-i menjëherë ka nisur një hetim të përbashkët me homologët kosovarë, si pjesë e vargut të hetimeve që kanë të bëjnë me ngjarjet e kësaj jave.”

“Mënyra e vetme për të gjetur zgjidhje lidhur me gjendjen aktuale është përmes dialogut. Të dy palët mund t’i zgjidhin problemet aktuale themelore vetëm përmes dialogut, dhe më lejoni të shtoj që EULEX-i e ka përkrahur gjithmonë kthimin e kontrollit të plotë doganor në mbarë Kosovën,” tha shefi i misionit të EULEX-it.

Kryeministri Hashim Thaçi tha se dinamika dhe shpejtësia e veprimit ndërmjet bashkësisë ndërkombëtare dhe institucioneve të Kosovës nganjëherë ka qenë e ndryshme por që ai e mirëpret vazhdimin e bashkëpunimit të ngushtë.

“Qeveria e Republikës së Kosovës mirëpret bashkëpunimin e ngushtë me EULEX-in në mënyrë që të forcohet sundimi i ligjit në mbarë territorin e Kosovës,” tha z. Thaçi.

"Unë i kam ofruar bashkëpunim të plotë EULEX-it në mënyrë që ta kthejmë sundimin e ligjit në veri së bashku, në mënyrë demokratike," shtoi kryeministri.