|
|
Prizren, 12 korrik 2011
Si pjesë e mandatit për t’i monitoruar, mentoruar dhe këshilluar (MMK) prokurorët vendas në Kosovë, EULEX-i është duke i mbajtur një varg seminaresh të specializuara lidhur me teknikat e hetimit në Prizren. Këto trajnime teknike synojnë që prokurorëve t’u ofrojnë mjete praktike për të kryer hetime të suksesshme. Të hënën, më 11 korrik, në Prizren është mbajtur një seminar për përdorimin e teknologjisë së telekomunikimit.
Prokurorët duke diskutuar për kërkesat ligjore për shfrytëzimin e të dhënave të telekomunikimit në gjykatë
Cezary Michalczuk duke ua sqaruar shtatë prokurorëve vendas në Prizren shfrytëzimin e teknologjisë së telekomunikimit në hetimet penale
Teknika e matjes së këndeve të cilën e përdorin operatorët mobil për ta përcaktuar pozicionin gjeografik të ndonjë aparati mobil
A e keni ditur se operatorët mobil i regjistrojnë të gjitha lëvizjet tuaja dhe vendet në të cilat keni qenë gjatë disa muajve të fundit? Zakonisht, operatorët mobil i përdorin këto të dhëna për tí përllogaritur shpenzimet e thirrjeve tuaja, ose për të regjistruar rastet kur ju e kaloni kufirin (për ta paguar romingun). Po ashtu, në këto të dhëna mund të ketë qasje edhe ndonjë prokuror nëse ato shërbejnë si dëshmi në procedurat ligjore, për shembull për ta vërtetuar alibinë e ndonjë të dyshuari. Mirëpo, për ta përdorë këtë teknikë në gjykatë prokurori duhet t’i përmbahet procedurave të duhura ligjore për kërkimin e këtyre informatave, operatorët mobil duhet të kontaktohen dhe t’u kërkohen të dhënat e përgjithshme, ndërsa një ekip i specializuar i policisë duhet ta përgatisë një raport analitik. Në praktikë, për shkak të keqkuptimeve dhe problemeve logjistike, teknika e pozicionimit gjeografik me anë të telefonave mobil rrallëherë përdoret për hetime në Kosovë.
Kjo është një mundësi e humbur, konsideron Cezary Michalczuk, prokuror i EULEX-it në Prizren. Gjatë monitorimit të lëndëve të kolegëve të tij në Prokurorinë e Qarkut në Prizren, ai i ka identifikuar disa fusha në të cilat mund të përmirësohen hetimet. Cezary i ka përgatitur një varg të seminareve praktike si një mjet për t’i mentoruar dhe këshilluar kolegët e tij për shfrytëzimin më të mirë të teknikave ekzistuese për hetime. Në mënyrë që këto seminare të jenë efektive, ato janë të shkurta (maksimumi 1 orë) dhe të parapara për në fillim të ditës së punës apo gjatë pushimit të drekës. Më herët janë organizuar trajnimet për “ekspertiza lidhur me ekzaminimin e armëve dhe krahasimit të plumbave, ‘kërkesat për ekstradim’ dhe ‘ndihma juridike ndërkombëtare.
Si prokuror i EULEX-it, Cezary është i përfshirë në disa hetime në të cilat ka kompetenca ekzekutive. Por, ai kryesisht krenohet me punën e tij në monitorimin, mentorimin dhe këshillimin e kolegëve të tij vendas. Cezary thotë: “Shikoni, ndjekjet kryesore penale nga EULEX-i mund të jenë të bujshme, por ato nuk do ta ndryshojnë mënyrën e punës së kolegëve tonë vendas. Një ditë EULEX-i do të largohet nga Kosova, kurse unë besoj fuqimisht se është obligimi i ynë që të lëmë diçka prapa vetes gjë që do të mund të shfrytëzohet nga kolegët tonë vendas.”