LAJME

Fushata e spikat progresin në luftën kundër drogës

5 korrik 2011

Gjatë konferencës për shtyp që e shënoi fundin e fushatës së përbashkët të EULEX-it dhe PK-së kundër drogës, përfaqësuesit e të dyja organizatave i paraqitën shifrat konkrete që janë rezultat i kësaj fushate.

  • Oliver Hoffman (majtas) dhe Bahri Shala (djathtas) gjatë konferencës për shtyp që shënoi fundin e fushatës për parandalimin e drogës
  • Nxënësit në Zubin Potok që mbajnë të veshura fanelat e fushatës
  • Fushata për sensibilizim në Prizren me anë të bisedave me qytetarë për rreziqet që i sjell droga

Vetëm në muajt maj dhe qershor gjatë kësaj fushate, Policia e Kosovës i ka arrestuar mbi 110 persona në lidhje me drogën dhe i ka konfiskuar më shumë se 15 kilogramë heroin dhe afër 50 kilogram marihuanë. Në të njëjtën periudhë, me anë të dy aktgjykimeve të trupave gjykues të përzier me gjykatës vendas dhe të EULEX-it, 5 persona janë shpallur fajtor për krim të organizuar dhe trafikim të drogës, duke i dënuar ata deri në 15 vjet burgim. Prokurorët vendas dhe ata të EULEX-it janë duke i hetuar ende edhe 20 raste tjera të lidhura me drogën.

Paralajmërim për kriminelët e drogës

Sipas Bahri Shala, Drejtor i Drejtorisë për Hetime në Policinë e Kosovës, këto shifra u dërgojnë porosi të fuqishme kriminelëve të drogës se veprimtaritë e tyre janë duke u përcjellë nga afër. Shala: “Policia e Kosovës është shumë më aktive në luftën kundër drogës. Gjatë 6 muajve të kaluar ne i kemi rritur operacionet kundër narkotikëve për 32%, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Ndërsa kemi kapur sasi të njëjtë të drogës.”

Oliver Hoffman, këshilltar i lartë i EULEX-it në Drejtorinë e PK-së kundër Krimit të Organizuar, pajtohet me këtë vlerësim dhe thotë: “Ne e përgëzojmë PK-në për të arriturat e saj. Është me rëndësi që kriminelët ta dinë se cilat janë rreziqet që i sjell marrja e tyre me drogë në Kosovë. Dy aktgjykimet e paradokohshme për trafikim të drogës me dënimet e kombinuara prej 35 viteve burgim e theksojnë këtë porosi.”

Fushata e suksesshme

Synimi i fushatës së përbashkët të PK-së dhe EULEX-it për parandalimin e drogës ishte thyerja e tabusë për drogat në shoqërinë kosovare. Me anë të motos “Mos i mbyllni sytë” qytetarëve u është bërë thirrje që ta diskutojnë çështjen e drogave në mënyrë më të më hapur me fëmijët e tyre dhe nëpër shkolla. Po ashtu, që t’i paraqesin në polici rastet që kanë të bëjnë me droga. Fushata u përbë nga një fushatë reklamuese intensive në TV, në radio, në gazeta dhe në pano të mëdha. Një autobus i kësaj fushate me policë të EULEX-it dhe PK-së i ka bërë më shumë se 60 vizita nëpër qytete, fshatra dhe shkolla të ndryshme në Kosovë. Në përgjithësi, oficerët policor kanë kontaktuar me më shumë se 23, 000 persona për t’i informuar ata për rreziqet nga drogat.

Që të dytë, Bahri Shala dhe Oliver Hoffman theksuan se lufta e tyre kundër drogave është duke vazhduar dhe se ajo nuk do të ndalet me përfundimin e kësaj fushate. Ata i bëjnë thirrje qytetarëve që ta thërrasin policinë nëse vërejnë ndonjë veprimtari të dyshimtë. Qendra e thirrjeve e PK-së është e hapur 24 orë për çdo ditë me numrat 92 ose 192 për telefonat mobil. Telefonatat trajtohen në konfidencialitet të plotë.