English Shqip / Srpski

LAJME

Luftimi i mallrave të falsifikuara: ekonomi e shëndoshë dhe mbrojtja e shoqërisë

17 maj 2011

Çështja e të Drejtave të Pronësisë Intelektuale (DPI) është e lidhur ngushtë me zhvillimin ekonomik dhe mbrojtjen e shoqërisë. Po ashtu, respektimi i të drejtave të pronësisë intelektuale është i lidhur me rendin dhe ligjin. Këto çështje janë kompetencë e Doganës së Kosovës dhe Doganës së EULEX-it fushat e tij të mentorimit, monitorimit dhe këshillimit dhe ekspertizës ligjore.

Paraqitja e markave të vërteta dhe atyre të falsifikuara në seminarin për DPI

DPI ishte tema e një seminari të organizuar nga Zyra Ndërlidhëse e Komisionit Evropian (ZNKE/ECLO), i mbajtur më 28 prill 2011 në Hotel Grand, Prishtinë. Ndër diskutuesit kryesorë ishin Zj. Mimoza Kusari, Ministre e Tregtisë dhe Industrisë, Memli Krasniqi, Ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dhe Bahri Berisha, Drejtor i Drejtorisë për Zbatimin e Ligjit në Doganën e Kosovës.

Duke e ditur rëndësinë që e ka zhvillimi ekonomik për Kosovën, mbrojtja e patentave, markave tregtare, dizajneve industriale nëpërmjet të drejtës së autorit – një nga temat kryesore të seminarit - është çështje me prioritet për Doganën e Kosovës dhe Doganën e EULEX-it. Shitja e mallit të falsifikuara i shkakton humbje të mëdha pronarëve të patentave, ndikon negativisht në punësim dhe i shkurajon investimet e huaja. Në anën tjetër, ekzistimi i barërave të pa-certifikuara paraqet rrezik për shëndetin e qytetarëve.

Mike Marsden, Shefi i Doganës së EULEX-it thotë: “Shumica e njerëzve aludojnë në veshmbathje për mallrat e falsifikuara, ata nuk mendojnë për piraterinë e aero-motorëve apo pjesëve të frenave të automjeteve të cilat paraqesin një rrezik të vërtetë për njerëzit që i përdorin ato”. Zbatimi i ligjit për DPI ka të bëjë me mbrojtjen e shoqërisë, si dhe parandalimi i qasjes së grupeve të organizuara kriminale në një burim të rëndësishëm të financimit të tyre.

Jo gjithmonë e lehtë të dallohen markat e falsifikuara nga ato të vërteta

Në vitin 2009, Dogana e Kosovës e ka themeluar një njësi për mbrojtjen e DPI-së: këta zyrtarë punojnë në vendkalimet kufitare të Kosovës për t’i zbuluar këto importe. Trajnimi i zyrtarëve të DK-së është duke u bërë nga një projekt i BE-së për mbështetje të Doganës dhe Administratës Tatimore në kuadër të Instrumentit të Zgjerimit të BE-së për Asistencë Para-anëtarësimit.

Deri më sot, Dogana e Kosovës është ballafaquar me 17 raste ku palët e kanë shkelur DPI-në, kryesisht shkelje në fushën e ushqimeve dhe veshmbathjes. “Sipas Ligjit për të drejtën e autorit, DK-ja është e obliguar që t’i mbrojë vetëm ato produkte të kompanive që i kanë regjistruar produktet e tyre,” thotë Bahri Berisha, Drejtor i Drejtorisë për Zbatimin e Ligjit në Doganën e Kosovës.

Në Doganën e Kosovës deri më tani janë regjistruar më shumë se 10 kompani, duke i përfshirë markat globale si Timberland, Gucci, Abercrombie & Fitch dhe Nike.

Kapja e një sasie të madhe të mallrave të falsifikuara – veshje dhe orë dore të fasifikuara të markave ndërkombëtare Timberland, Gucci dhe Abercrombie & Fitch – ka ndodhur në vendkalimin kufitar të Vërmicës më 29 nëntor 2010. Njësia lëvizëse e Doganës së EULEX-it ishte e pranishme gjatë kontrollit dhe konfiskimit të mallrave.

Po ashtu, edhe shtatë marka tjera ndërkombëtare, duke e përfshirë Ralph Lauren, ishin pjesë e importit të mallrave të falsifikuara, por, meqë ato nuk e kanë kërkuar statusin e DPI-së, këto mallra nuk kanë mundur të konfiskohen.

Sipas Naim Huruglica, Drejtor i Doganës së Kosovës: “Dogana e Kosovës e ka të njëjtin objektiv si edhe organizatat tjera doganore në mbarë botën. Këto objektiva nuk ndërlidhen vetëm me grumbullimin e të hyrave doganore, por edhe bëjnë mbrojtjen e shoqërisë dhe bizneseve legjitime, qëllime këto që arrihen duke i luftuar mallrat ilegale dhe të falsifikuara.”