Dy objektivat e EULEX-it: 1. Mentorimi, Monitorimi dhe Këshillimi (MMK) 2. Funksioni Ekzekutiv

Dy objektivat e EULEX-it: 1. Mentorimi, Monitorimi dhe Këshillimi (MMK) 2. Funksioni Ekzekutiv

Baza ligjore për funksionimin e këtij Misioni është përcaktuar nga Këshilli me anë të Veprimit të përbashkët të Bashkimit Evropian 2008/124/CFSP më 4 shkurt 2008. Në bazë të kësaj, EULEX-i funksionon në kuadër të kornizës së përgjithshme të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. EULEX Kosova është krijuar me synimin e përgjithshëm që t’i ndihmojë institucionet, organet gjyqësore dhe agjencitë për zbatimin e ligjit të Kosovës në zhvillimin e drejtësisë efektive të bazuar në sundimin e ligjit dhe të lirë nga ndikimet politike. Ky Mision është misioni më i madh civil i themeluar në kuadër të Politikave të Përbashkëta për Siguri dhe Mbrojtje (CSDP) të Bashkimit Evropian. 

Pas funksionalizimit të EULEX-it në dhjetor 2008, detyra e tij e parë ishte shqyrtimi i anëve të forta dhe të dobëta në kuadër të fushës së sundimit të ligjit. Gjatë dy viteve të para të mandatit të EULEX-it (2008-2010), ky Mision i ka përkrahur institucionet kosovare duke e monitoruar, mentoruar dhe këshilluar secilin komponentë të sundimit të ligjit (d.m.th. Drejtësinë, Policinë dhe Doganën). Përmes këtyre aktiviteteve, EULEX-i i ka ndihmuar institucionet, organet gjyqësore dhe agjencitë për zbatimi e ligjit të Kosovës në avancimin e tyre drejt qëndrueshmërisë dhe llogaridhënies dhe në zhvillimin dhe fuqizimin e mëtejmë të sistemit të drejtësisë, policisë dhe shërbimit doganor shumë-etnik e të pavarur. 

EULEX-i kishte edhe kompetenca ekzekutive në fushën e sundimit të ligjit, në veçanti sa i përket hetimit dhe ndjekjes penale të krimeve të rënda dhe të ndjeshme. Në pajtim me Ligji Nr. 03/L-053 mbi kompetencat, përzgjedhjen e lëndëve dhe caktimin e lëndëve të gjyqtarëve dhe prokurorëve të EULEX-it në Kosovë, rastet janë hetuar dhe sjellë para gjykatës nga prokurorët e EULEX-it kurse janë gjykuar nga trupat gjykues me shumicë të gjyqtarëve ndërkombëtarë (sipas ligjeve të Kosovës trupi gjykues përbëhet nga tre gjyqtarë). Përveç kësaj, me anë të monitorimit, mentorimit dhe këshillimit (MMK), EULEX-i i ka përkrahur homologët e tyre në sistemin gjyqësorë të Kosovës me anë të masave për ndërtim të kapaciteteve. Fuqizimi i pavarësisë së sistemit gjyqësor dhe krijimi i procedurave gjyqësore dhe prokuroriale në përputhje me standardet ndërkombëtare ishte pjesa kryesore e mandatit të EULEX-it.

Në qershor 2010, ky Mision në Kosovë u vazhdua për një periudhë prej dy vitesh. Objektivat kryesore të tij mbetën të njëjta. Vazhdimi i mandatit të EULEX-it në vitin 2012 u shoqëruar me një reduktim të konsiderueshëm të personelit dhe ristrukturim të Misionit. Ky Mision u rikonfigurua me dy sektorë kryesorë: ‘Sektori Ekzekutiv,’ i cili punoi në mandatin ekzekutiv të misionit dhe ‘Sektori për Fuqizim,’ i cili përqendrohet në monitorimin, mentorimin dhe këshillimin e homologëve vendas.

Vazhdimi i fundit i mandatit të këtij Misioni në qershor 2014 ka sjellë ndryshime të mëdha. Në pajtim me Ligji Nr. 03/L-053 mbi kompetencat, përzgjedhjen e lëndëve dhe caktimin e lëndëve të gjyqtarëve dhe prokurorëve të EULEX-it në Kosovë i ndryshuar me anë të Ligji Nr. 04/L-273 (tani quhet: Ligji mbi juridiksionin dhe kompetencat e gjyqtarëve dhe prokurorëve të EULEX-it në Kosovë), përbërja e trupave gjykues do të jetë me shumicë të kosovarëve dhe pakicë të ndërkombëtareve. Ky Mision nuk do të merr përsipër raste të reja dhe gradualisht do t’ia bart kompetencat sistemit gjyqësor të Kosovës. Përjashtim për këtë është veriu i Kosovës, ku EULEX-i do të vazhdojë të jetë përgjegjës për procedurat gjyqësore derisa Dialogu i lehtësuar nga BE-ja ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit të mos sjellë ndonjë zgjidhje për drejtësinë. 

Marrëveshja e muajit qershor 2014 mbështetet në shkëmbimin e letrave ndërmjet Presidentes Atifete Jahjaga dhe Përfaqësueses së lartë të BE Catherine Ashton më 14 prill 2014. Pas kësaj u modifikua mandati aktual i EULEX-it dhe për pasojë është reduktuar edhe më tej numri i personelit të tij. EULEX-i e ka ruajtur strukturën themelore të tij, d.m.th. dy sektorët kryesorë “Ekzekutiv” dhe “Fuqizim”. Këtij Misioni i është ngarkuar edhe detyra për të ndihmuar në zbatimin e marrëveshjeve të arritura në kuadër të dialogut Beograd – Prishtinë dhe të inkorporuara në ‘Marrëveshjen e parë ndërkombëtare mbi parimet për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë’ të nënshkruar më 19 prill 2013. Mandati aktual i EULEX-it skadon më 14 qershor 2018.

Prapa