Më shumë për Multimedia ...

Më shumë për Multimedia ...

Njësia për Bashkëpunim Policor Ndërkombëtar e EULEX-it dhe Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar në Sundimin e Ligjit e Policisë së Kosovës realizuan një vizitë studimore në Suedi

20 prill 2018

Gjatë kësaj jave, Shefi i Njësisë për Bashkëpunim Policor Ndërkombëtar të EULEX-it, Vincenzo Cardinale së bashku me Zyrtarët për Mbrojtjen e të Dhënave dhe Sigurisë së të Dhënave nga Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar në Sundimin e Ligjit të Policisë së Kosovës (ILECU) shkuan në Stokholm për një vizitë studimore në Divizionin për Çështjet Ndërkombëtare të Policisë Suedeze. Ky institucion shërben si Pika e Vetme e Kontaktit për Interpolin, Europolin dhe Sirene në Suedi.

Fokusi kryesor i kësaj vizite ishte forcimi i kapaciteteve ekzekutive të ILECU të Policisë së Kosovës për ta përmirësuar funksionalitetin operacional të tij, veçanërisht kur bëhet fjalë për perspektivat e Mbrojtjes së të Dhënave dhe Sigurisë së të Dhënave. Një theks më i madh iu kushtua familjarizimit të zyrtarëve të PK-së me rregulloret e reja në lidhje me trajtimin e informacionit, shkëmbimin e informacionit, ndërveprimin e bazave të dhënave dhe sistemit për menaxhimin e rasteve që përdoren nga organet për zbatimin e ligjit dhe institucionet në Evropë.

Me këtë rast, z. Vincenzo Giancarlo Cardinale, Njësisë për Bashkëpunim Policor Ndërkombëtar të EULEX-it deklaroi se: "Realizimi i bashkëpunimit ndërkombëtar nuk do të jetë i mundur pa lidhje të forta në mes të vendeve të ndryshme. Zbatimi i praktikave më të mira nga zbatuesit e ligjit dhe njësitë për bashkëpunim ndërkombëtar dhe bashkërendim do të sjellë përfitime reciproke drejt mënjanimit të boshllëqeve të informacionit dhe për ta zvogëluar hapësirën në të cilën mund të veprojnë kriminelët ndërmjet Kosovës dhe Shteteve Anëtare të Bashkimit Evropian. Zyrtarët që morën pjesë në këtë vizitë studimore në Suedi do të jenë si një gurthemel i llogaridhënies për Mbrojtjen e të Dhënave dhe Sigurinë e të Dhënave në kuadër të ILECU të Policisë së Kosovës, si dhe do të japin këshilla me autoritetin e plotë në fushën e ekspertizës së tyre".

Gjatë kësaj jave, zyrtarët e PK-së u trajnuan dhe këshilluan nga ekspertët kombëtarë të EU MS Interpol dhe Europolit për sfidat më të zakonshme që kanë të bëjnë me bashkëpunimin policor ndërkombëtar dhe se si të trajtohen ato në mënyrë efikase.

Rëndësinë e këtij trajnimi e theksoi edhe Togeri Vedat Sherifi, Policia e Kosovës: "Kjo vizitë studimore ka qenë shumë e dobishme dhe e frytshme për zhvillimet e ardhshme të Policisë së Kosovës dhe na ka pajisur me një njohuri të madhe të dobishme të cilën ne do të mund ta përcjellim gradualisht te kolegët tanë në kuadër të ILECU".

Për më shumë, në kuadër të këtij trajnim ishte përfshirë edhe një vizitë në Stacionin Qendror të Policisë në Stokholm, me qëllim që të shihej për së afërmi se si punon një Zyrtar i Rastit Ndërkombëtar në kuadër të stacionit të policisë krahas me hetuesit.