Më shumë për Multimedia ...

Më shumë për Multimedia ...

Shefja e Misionit EULEX iu drejtua studentëve të Fakultetit Juridik – shfrytëzojeni arsimimin për fuqizimin e të ardhmes suaj dhe të institucioneve të Kosovës për sundimin e ligjit

24 maj 2017

Shefja e Misionit EULEX zj. Alexandra Papadopoulou foli dje para studentëve të Fakultetit Juridik dhe Fakultetit Ekonomik të Universitetit të Prizrenit “Ukshin Hoti” rreth sundimit të ligjit në Kosovë.  Në kuadër të temës “Arsimimi” të iniciativës së vitit 2017 EU Teach-a-Day/Një ditë mësimi për BE-në, zj. Papadopoulou i inkurajoi studentët që “të shfrytëzojnë arsimimin për fuqizimin e të ardhmes së tyre dhe të marrin pjesë në mënyrë aktive për ndërtimin e një Kosove pluraliste, të lirë dhe demokratike përmes forcimit të institucioneve të sundimit të ligjit në Kosovë.”

Zj. Papadopoulou foli rreth përkushtimit të Bashkimit Evropian për t’i ndihmuar Kosovës në ndërtimin e një shoqërie demokratike dhe shumetnike të bazuar në respektimin e sundimit të ligjit dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Ajo theksoi përkushtimin e vazhdueshëm të shteteve anëtare të BE-së për fuqizimin e sundimit të ligjit në Kosovë përmes EULEX-it.

Duke folur rreth Misionit, zj. Papadopoulou theksoi se EULEX-i luan rol kyç – në bashkëpunim të ngushtë me Përfaqësuesin Special të BE-së dhe Zyrën e BE-së në Kosovë – në ndihmën dhënë Kosovës për përmbushjen e aspiratave të saj evropiane, përfshirë për luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

“Derisa të jemi këtu, EULEX-i me nderë do të vazhdojë zbatimin e mandatit që ka për t’iu ndihmuar institucioneve të sundimit të ligjit në Kosovë. Por, në përgjithësi është përgjegjësia juaj – si gjenerata e ardhshme e të rinjve dhe të rejave kosovare – të ndërtoni shoqëri të hapur dhe transparente ku sundon ligji,” theksoi ajo.

Studentët shprehën interesim për të mësuar më shumë rreth rolit dhe mandatit aktual të EULEX-it, dhe shtruan një sërë pyetjesh interesante dhe sfiduese.
 
Ligjërata u organizua nga Zyra e Përfaqësuesit Special të BE-së si pjesë e iniciativës EU Teach-a-Day, e cila shënohet çdo vit në shenjë të 9 majit - Ditës së Evropës.  Përfaqësues të lartë të BE-së ftohen që të japin prezantime rreth rolit të Bashkimit Evropian para studentëve universitarë në mbarë Kosovën.