Fillimi  BreadCrumbTrailerQendra informuese për çështje gjinore  BreadCrumbTrailerGratë në drejtësi  BreadCrumbTrailerSPROVAT E JETËS SJELLIN REZULTATET MË TË MIRA...

SPROVAT E JETËS SJELLIN REZULTATET MË TË MIRA – NJIHUNI ME NATALIE DAWSON

07 maj

Puna e palodhshme dhe sfiduese ka qenë një prej karakteristikave kryesore në jetën personale dhe profesionale të Natalie Dawson. Kjo avokate e qetë por e vendosur të jep përshtypjen se për të asgjë nuk është shumë e madhe ose shumë e vogël. Për të është njësoj si kur analizon ndonjë çështje komplekse ligjore për EULEX-in, ashtu edhe kur bën joga dhe meditim pranë Oqeanit Indian.

Natalie është zyrtare ligjore që punon në Prokurorinë Speciale të Kosovës ku ajo ofron mbështetje për prokurorinë dhe hetimet lidhur me rastet e Kosovës. Puna e saj e përditshme është e ndryshme, nga ndërlidhja me prokurorët, hetuesit e policisë, deri te shqyrtimi i provave si dhe kalimi i orëve të tëra mbi dokumente ligjore deri te vlerësimi i opinioneve ligjore. Herë pas here, ajo gjithashtu drejton ose merr pjesë në punëtori dhe trajnime të ndryshme të EULEX-it që synojnë fuqizimin e institucioneve të Kosovës dhe personelit të saj.

Me origjinë nga Newcastle-upon-Tyne, në Britani të Madhe, ajo e përshkruan veten si pak shumë studioze në shkollë. Dhe vetëm kur shkoi në Universitetin Durham për ta kryer magjistraturën në juridik ajo u ndal pak dhe e kuptoi se ishte e mundur që edhe të punonte por edhe të kënaqej shumë.

Pasi punoi si juriste në procese gjyqësore civile dhe pasi i kreu provimet e praktikës ligjore në Nottingham, Natalie u kthye në qytetin e saj të lindjes dhe filloi të përgatitej dhe punonte në gjykatë. Aty ajo u përqendrua në një përzierje të së drejtës penale dhe të kujdesit për fëmijët.

Ndërsa Natalie i përshkruan punët e ndryshme në gjykatë, nga këshillimi i gjyqtarëve për t'u marrë me prokurorët, dëshmitarët dhe të pandehurit, bëhet e qartë se puna e bërë aty kishte ndikuar shumë në të. Kur të gjithë miqtë e saj ishin jashtë duke udhëtuar në të ashtuquajturat 'vite të humbura’ ajo e përshkruante veten si "të lumtur në zonën time të rehatisë, duke punuar në gjykatë". Megjithatë, pas më shumë se 8 vjetësh, për të u bë e qartë se kishte ardhur koha për ta sfiduar veten edhe një herë në diçka të re.

Rastësisht, ajo hasi në një formular punësimi për EULEX-in në Kosovë dhe Natalie vendosi ta provonte dhe të konkurronte. Të punosh dhe të ndihmosh jashtë vendit ishte diçka që e kishte tërhequr gjithmonë, prandaj vendosi që tani ishte koha e duhur për ta bërë këtë. 

Natalie e pranon se gjatë secilës fazë, nga lista e ngushtë deri te intervistat, ajo nuk kishte menduar se do të pranohej në këtë punë. "Vazhdimisht mendoja se kjo do të ishte faza e fundit dhe ishte thjesht një përvojë e mirë për ta sprovuar veten aty", kujton ajo me modesti. Për habinë e saj, asaj iu ofrua një vend pune në misionin EULEX.

Vitin e saj të parë në EULEX e kaloi në gjykatën e apelit si zyrtare ligjore dhe gjatë kësaj kohe ia kalonte shumë mirë. Kur mendon për këtë, ajo thotë se pavarësisht se shumë sfiduese dhe e shumëllojshme ishte kjo kohë, megjithatë ajo ka shumë kujtime të mira nga një grup i madh njerëzish. Pas kësaj, në fund të kësaj detyre Natalie mendoi se akoma nuk kishte ardhur koha për të ikur dhe donte të bënte më shumë. Ajo e pranoi ofertën për të punuar si zyrtare ligjore në PSRK në vitin 2014, për të cilën me buzëqeshje thotë se ka qenë "një përvojë e dobishme, sfiduese dhe me ndryshime të vazhdueshme".

Qëndrimi i saj këtu në Kosovë ka qenë plot tension, Natalie nuk u mjaftua vetëm me një orar pune të ngjeshur. Ajo mori përgjegjësi shtesë dhe filloi ta vinte veten në provë edhe diku tjetër. Në kohën e saj të lirë ajo e kreu një magjistraturë për të Drejtat Ndërkombëtare të Njeriut dhe të Drejtën Humanitare, duke e bazuar punimin e magjistraturës në përvojën e saj këtu në Kosovë.

Kur diskuton për të gjitha arritjet e saj, Natalie e ka një vizion të qartë për sundimin e ligjit. "Unë jam vërtetë e motivuar duke u përpjekur që të jap një perceptim transparent për opinionin lidhur me atë se çfarë është duke bërë sistemi i drejtësisë. Fundja, ne po punojmë për njerëzit, jo për vetveten, por për të gjithë".

Për Natalie është e qartë se ajo nuk erdhi në Kosovë duke menduar se mund të ndryshonte gjërat vetë, përkundrazi shpresonte që ajo do të jepte një kontribut të vërtetë në kuadër të një angazhimi më të madh për ta instaluar sundimin e ligjit në Kosovë. Natalie shpjegon se qëllimi i saj përfundimtar është thjesht drejtësia, duke thënë se "kjo mund të tingëllojë si një klishe, por nëse ka një gjë që unë nuk mund ta duroj, është padrejtësia; në fund të fundit kjo është arsyeja pse e bëj atë që bëj ". Ajo tregon se puna e saj e ka ballafaquar me sfida të mëdha dhe me frustrime po aq të mëdha, por duke qenë pozitive, optimiste dhe e fokusuar në atë që ishte e drejtë ajo ka arritur që në mënyrën e saj të ballafaqohet si me arritjet ashtu edhe me zhgënjimet.

Natalie nuk u ndal në arritjet e saj akademike dhe profesionale; ajo hulumtoi edhe fusha të tjera. Për tre vjet me radhë ka marrë pjesë në aktivitetin për bamirësi të ngasjes së Biçikletave nëpër Kosovë për Fëmijë; një turne vjetor që përfshin 500 km çiklizëm dhe 6000 metra ngjitjeje. Për çdo vit ajo ka ndihmuar në mbledhjen e mijëra eurove për Njësinë e Maternitetit të Spitalit Universitar të Prishtinës. Ky aktivitet është një sfidë e pabesueshme fizike dhe mendore, por thotë se "duke parë dhurimin e pajisjeve dhe ndryshimin e bërë, ia vlen".

Forma fizike është e rëndësishme, prandaj gjatë kohës së lirë ajo kënaqet duke vrapuar dhe ngarë biçikletën. Megjithatë, marrja me joga në studion e Suada Yoga në Prishtinë, apo edhe në shtëpi, është ajo që ju do të gjeni Natalie duke e bërë këto ditë. Pas viteve të marrjes me ushtrime, kohëve të fundit ajo është bërë instruktore e akredituar plotësisht e jogas, një përvojë të cilën ajo thotë se e bën të ndjehet "shumë mirënjohëse dhe e privilegjuar që është në gjendje ta ndajë me të tjerët". 

Natalie do të largohet nga Kosova së shpejti për shkak se pas 4 vjetësh këtu tani është koha që të provojë diçka tjetër. Në radhë e ka shkuarjen në Londër; një vend të cilin e ka vizituar shpesh, por ku nuk ka jetuar kurrë. Ky është fillimi i një kapitulli të ri në jetë.
Edhe pse mezi pret të shkojë në Londër ku do ta vazhdojë karrierën e saj ligjore, duke u emëruar Prokurore e Specializuar, largimi nuk do të jetë i lehtë për të. "Marrja e vendimit për të ardhur këtu është gjëja më e mirë që kam bërë ndonjëherë. Do të më mungojë Kosova. Një pjesë e imja do të mbetet këtu përgjithmonë", shpjegon ajo me krenari.

Mundësia për ta vizituar dhe të mësosh për kulturën e Kosovës dhe të Ballkanit është diçka që ajo nuk do të kishte mundur ta bënte pa punuar këtu. Gjëja e saj e preferuar gjatë qëndrimit të saj në Kosovë është fakti se gjithmonë ka mundur të gjejë vende të reja për t'i eksploruar. "Më ka pëlqyer t’i vizitoj qytetet nëpër rajon dhe të përpiqem vërtet të kuptoj se si është jeta atje. Nuk është njësoj si kur shkon për pushime dhe bën një turne për ta parë ndonjë kryeqytet ", thotë ajo. Ajo flet për udhëtimet e saj në rajon dhe fundjavat e kaluara duke vizituar Shqipërinë, Malin e Zi dhe Greqinë duke thënë: "Mu më së shumti më pëlqen t’i vizitoj tregjet e ushqimit, t’i shohësh prodhimet vendase dhe t’i shijoj ushqimet lokale. Unë kam përjetuar disa momente të mrekullueshme dhe të veçanta".

Duke reflektuar për qëndrimin e saj në Kosovë, ajo shpreson se ajo ka mundur të kontribuojë për disa ndryshime pozitive. "Nëse dikush mund të bëjë diçka të vogël atëherë ju shpresoni që ajo të rritet dhe të ketë efekt shumë të madh. Kështu që ndryshimi i mirë të përhapet. Është shumë idealiste", e pranon ajo, "por nëse nuk keni shpresë atëherë cili është kuptimi".

Natalie është duke u përgatitur për ta lënë prapa jetën e saj në Kosovë ndërsa është duke u bërë gati për një sfidë tjetër. Ajo shpreson që kalimi në jetën e saj të re në Londër do të jetë i lehtë, duke e pasur përpara përparimin në karrierë. Ajo po kthehet në zonën e saj të rehatisë në Britani të Madhe me besim të plotë në Kosovën.

Prapa

Gratë në sundimin e ligjit

Buzëqesh, puno dhe eksploro – Takoni Yulia Netesova

Buzëqesh, puno dhe eksploro – Takoni Yulia Netesova

Kur ishte lindur në një qytet akademik të largët të Siberisë, atëherë pjesë e Bashkimit Sovjetik, familja e Yulias ishte e bindur se ajo do të vazhdonte hapat e ...

SPROVAT E JETËS SJELLIN REZULTATET MË TË MIRA – NJIHUNI ME NATALIE DAWSON

SPROVAT E JETËS SJELLIN REZULTATET MË TË MIRA – NJIHUNI ME NATALIE DAWSON

Puna e palodhshme dhe sfiduese ka qenë një prej karakteristikave kryesore në jetën personale dhe profesionale të Natalie Dawson.

Profili Video

Një ditë nga jeta e Hakan Wall-it

Një ditë nga jeta e Hakan Wall-it

Udhëheqës i Njësisë Këshilluese për Çështje të Policisë dhe Kufirit, shpjegon punën e tij dhe sfidat me të cilat përballet në Kosovë.

Një ditë nga jeta e Matti Raatikainen-it

Një ditë nga jeta e Matti Raatikainen-it

Shefi i njësisë së Hetimeve të Krimeve të Luftës, Matti Raatikainen spjegon hetimet e krimeve të luftës në EULEX