European Union External Action
FacebookTwitterYoutube
Për EULEX Sektori Ekzekutiv Sektori i Fuqizimit Zyra për media Mundësi Punësimi Tenderët Kontakte
Search

Fillimi BreadCrumbTrailer Qendra informuese për çështje gjinore BreadCrumbTrailer Gratë në drejtësi

Midis drejtësisë dhe muzikës – njihuni me Vjollca Kroci-Gerxhaliu

08 maj 2017

E lindur dhe rritur në Prizren, një qytet i lashtë ku arti dhe historia përcjellët nëpër gjenerata, ka luajtur një rol të madh që ajo të bëhet kjo që është sot. Njihuni me Vjollca Kroci-Gerxhaliu, e cila punon në EULEX si këshilltare ligjore.

Vjollca është këshilltare ligjore në Gjykatën e Apelit dhe në Gjykatën Supreme. Atje ajo bashkëpunon ngushtë me gjyqtarët e EULEX-it, të cilëve u ndihmon gjatë  gjykimit të rasteve të rënda penale. Ajo mendon se puna në një mjedis gjyqësor shumë-kulturor në kuadër të këtij Misioni, i mundëson asaj që të zhvillohet profesionalisht. “Unë ia kam dalë që ta përshtat dhe harmonizoj përvojën time profesionale të mëparshme për të qenë në përputhje me standardet ndërkombëtare të këtij Misioni”, sqaron ajo.

Që në moshë të hershme, Vjollca u ballafaqua me dilemën nëse do të ndiqte hapat e muzikës apo të juridikut. Duke qenë se është rritur në një familje avokatësh kosovarë të njohur dhe duke i dëgjuar rrëfimet e tyre, kjo i ndihmoi që anën t’ia merrte juridiku. “Më ka pëlqyer shumë piano, por kur erdhi koha të vendos se çka do studioj, unë zgjodha juridikun”, thotë Vjollca.

Edhe pse është e zënë me punët e drejtësisë, Vjollca vazhdon ta ketë pasion muzikën.  “Më pëlqen Shopeni. Qetësohem kur e dëgjoj muzikën e tij”, thotë ajo.

Karriera profesionale e Vjollcës filloi pas përfundimit të konfliktit në Kosovë. Në vitin 1999, asaj iu dha mundësia dhe e nisi punën e saj në “International Medical Corporation” në departamentin e burimeve njerëzore. Në këtë detyrë, ajo ishte përgjegjëse për kontratat dhe punësimet. Ndërsa kjo nuk ishte një situatë ideale për një juriste, kjo pozitë ia hapi dyert për punë të mëtejme me organizatat ndërkombëtare.

Vjollca është rritur në një familje të ngritur dhe të arsimuar. I ati i saj ishte arsimuar në Kroaci dhe kishte punuar si profesor i mbrojtjes ushtarake në Kolegjin e Dubrovnikut dhe në Shkollën e Lartë në Prizren pasi ishin kthyer në Kosovë. Vdekja e tij në moshë të re i la barrën e rritjes së dy fëmijëve nënës së saj.

“Nëna ime është heroina ime. Në kohën kur ne humbëm babanë tonë ndërsa ajo shokun e saj të jetës, nëna ime ishte shumë e re. Ajo gjithmonë ishte një prind i përkushtuar, duke u bërë nëna dhe babai ynë, duke na rritur për t’u bërë personalitete të forta. Fryma e babait tim në rritjen e vëllait tim dhe timen na ka bërë që të synojmë arritjen e standardeve më të larta të arsimimit dhe kjo ka qenë diçka të cilës nëna ime i ka qëndruar gjithmonë besnike”, thotë Vjollca.

Rëndësia e familjes për Vjollcën është e dukshme. Kur e pyetëm për të arriturën më të rëndësishme ajo u përgjigj me shpejtësi “tre fëmijët e mi.” Duke i mbështetur me shumë pasion, ajo kënaqet duke dëgjuar se si e kanë kaluar ditën dhe i inkurajon ata në çdo angazhim, si në mësime ashtu edhe në projekte të ndryshme kreative.

Në vitin 2000 ajo filloi punën në OSBE ku shumë shpejtë e gjeti veten në ambientin shumë-kulturor të saj. Brenda pak muajve, Vjollca u promovua në këshilltare ligjore dhe filloi të punojë në rastet e mbrojtjes penale.

Derisa ishte në OSBE, Vjollca i ka ndihmuar avokatët mbrojtës kosovarë në përgatitjen e lëndëve penale prej fillimit e deri në fazat e fundit të procedurave penale. Këtë e kishte bërë duke e respektuar në tërësi praktikën gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejta të Njeriut, që në atë kohë kishin filluar të aplikoheshin në sistemin juridik të Kosovës. “Unë kisha shumë vetëbesim në këtë rol, dhe në vitin 2005 e hapa avokaturën time ku punova për nëntë vite”, thotë Vjollca.

Deri sa nuk e kishte hapur avokaturën e saj ajo s’e kishte kuptuar rëndësinë dhe kënaqësinë e të punuarit në mjediset shumë-kulturore, ku ajo ishte sfiduar dhe stimuluar rregullisht gjatë punës së saj. “Më ka munguar atmosfera e ekipit ligjor shumë-kulturor të cilin e kisha gjetur në OSBE, prandaj në vitin 2014 vendosa të punësohem EULEX.”

Vjollcës i pëlqen shumë ecja dhe kënaqet me aktivitetet në natyrë. Ajo thotë: “Shpesh herë më ngacmojnë në punë sepse unë për çdo ditë eci këmbë prej shtëpisë deri në Pallatin e Drejtësisë dhe anasjelltas.” Prandaj, nuk duhet të befasoheni nëse gjatë fundjavave e takoni duke ecur nëpër male me qenin e saj.

Ajo është shumë krenare që ishte personi i parë që i ka ndihmuar një avokati mbrojtës kosovar që ta përpilojë ankesën e parë për Gjykatën për të Drejta të Njeriut në Strasburg në kohën kur punonte në Qendrën Burimore për Mbrojtje Penale të themeluar nga OSBE-ja. Ajo e kujton që ky ishte një rast i arrestimit arbitrar. “Për mua kjo ishte një gjë e jashtëzakonshme, që të jesh pjesë e një diçka të re dhe të shohësh diçka që zhvillohet për herë të parë në Kosovë,” thotë ajo me krenari.

Ajo beson se sundimi i ligjit në Kosovë është duke u përmirësuar e bashkë me këtë edhe besimi i qytetarëve në institucione. “Kosova ka bërë përparime që prej përfundimit të konfliktit. Ne është dashur të fillojmë prej zeros në fushën e sundimit të ligjit. Unë jam e lumtur që punoj në një mision si EULEX-i, i cila vazhdon të kontribuojë shumë në këtë proces”, thotë ajo. “Unë mendoj se mbetet edhe shumë për t’u bërë në fushën e drejtësisë, por ne jemi në rrugë të mbarë për ta arritur këtë. Këtë ia kemi borxh fëmijëve tanë – por edhe vetes”, thotë ajo në fund.
 

Prapa

EULEX Kosovo © E drejta e autorit & Heqja e përgjegjësisë
Rr. Muharrem Fejza, Ndërtesa Farmed, P.O. Box: 268 10000 Pristina, Kosovo
Tel: +383 (0) 38 78 2000 Fax: +383 (0) 38 78 4556 :: info@eulex-kosovo.eu